Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka dalë në një deklaratë për mediat pas Samitit të BE dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë dhe incidentit në protestën e opozitës.

 

 

 

Rrumbullaku ka falenderuar të gjithë punonjësit e Policisë të angazhuar për mbarëvajtjen e eventit të rëndësishëm politik dhe i është përgjgijur akuzave të kryedemokratit Berisha për lidhje të agresorit Gert Shehut me strukturat e Policisë.

 

 

 

Rrumbullaku ka mohuar kategorikisht që 31-vjeçari të jetë apo të ketë qenë ndonjëherë agjent i Policisë Kriminale.

 

 

 

Kreu i Policisë sqaroi se dokumenti që vërteton problemet mendore të 31-vjeçarit nuk është publikaur nga policia por është vënë në dispozicion të mediave nga vetë familjarët e të riut.

 

 

 

Deklarata e Plotë: 

“Për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese, të angazhuar për sigurinë dhe mbarëvajtjen e Samitit BE – Ballkani Perëndimor, këto ishin orë të gjata pune në krye të detyrës, por edhe një akt krenarie, pasi një event i rëndësishëm, siç është ky samit, u përmbyll me sukses.

Falë masave të sigurisë së lartë, punimet e Samitit u zhvilluan me sukses të plotë. Gjej rastin të përcjell 2 mesazhe falënderimi, së pari për të gjithë punonjësit e Policisë, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre, si dhe një falënderim të posaçëm për qytetarët, që treguan durim, pasi shumë akse rrugore që ishin brenda perimetrit të sigurisë, na u desh t’i mbanim të bllokuara për shumë orë.

Gjithashtu, Policia e Shtetit mori masa për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë tubimit që u zhvillua sot në mesditë, të lajmëruar nga opozita.

Në lidhje me incidentin e ndodhur ndaj deputetit Sali Berisha, sigurisht incident i paprecedent dhe plotësisht i dënueshëm, Policia e Shtetit sapo u njoh me ngjarjen e shëmtuar, reagoi menjëherë duke ndaluar agresorin.

Edhe aktualisht po vazhdojnë hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të përcaktuar dinamikën e zhvillimit të kësaj ngjarjeje dhe motivet e saj.

Në lidhje me deklaratat e deputetit Berisha në konferencën për shtyp, gjatë së cilës pohoi se 31-vjeçari, Gert Shehu është agjent i Policisë Kriminale, dhe se është përdorur për të kryer akt dhune ndaj tij, sqarojmë opinionin publik se:

Shtetasi Gert Shkëlqim Shehu, i vitlindjes 1991, nuk ka qenë ndonjëherë dhe nuk është agjent i Policisë Kriminale nga asnjë strukture e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu ky shtetas nuk është përdorur asnjëherë nga shërbimet e Policisë së Shtetit si i infiltruar apo si burim informacioni.

Sqarojmë se dokumenti që vërteton gjendjen e shëndetit mendor të shtetasit Gert Shehu, është vënë në dispozicion të medias nga vetë familjarët e të riut.

Policia e Shtetit shpreh keqardhje dhe përgënjeshtron këto deklarata, të cilat nuk ndihmojnë në zbardhjen e plotë të së vërtetës.

Ndërkohë, sigurojmë deputetin Berisha, se Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë, është e angazhuar maksimalisht, në zbardhjen sa më parë dhe në mënyrë të plotë ,të të gjitha rrethanave të ngjarjes.

Faleminderit.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re