Sot shënohen 24 vjet nga vrasja e Azem Hajdarit.

 

Vajza e tij, ish deputetja Rudina Hajdari ka kujtuar të atin e ndjerë, ku nuk ka kursyer as akuzat për kryeministrin Edi Rama.

 

Në prononcim për mediat, Hajdari tha i ati i saj sakrifikoi jetën e tij për lirinë e shqiptarëve, por sot është e njëjta situatë si 32 vite më parë, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama se po kontrollon të gjitha pushtet.

 

Ajo gjithashtu ftoi shqiptarët që të ngrihen dhe të kërkojnë të drejtën e tyre për liri e meritokraci.

 

“Sot nderojmë figurën dhe veprën e Azem Hajdarit që sakrifikoi jetën dhe rininë e tij për të çuar në piedestal idealet më të larta. Kur shumë njerëz kishin humbur shpresën që ndryshimi do të vinte, Azemi u çua dhe sfidoi regjimin më të egër komunist dhe organizoi studentët në shesh me protesta dhe revolta. Azemi qëndroi besnik ndaj atyre parimeve dhe ai do të mbetet nga figurat më të pastërta. Shqipëria sot ka ndryshuar fizikisht, por politikisht mendoj që jemi në kushte shumë të ngjashme.

 

Shqipëria po kontrollohet nga një grup njerëzish me në krye Edi Ramën, teksa shqiptarët kanë humbur të gjitha shpresat se ndryshimi do të vijë.

 

Ndaj, mendoj që Azemi është figura që ne mund të bazohemi dhe të mendojmë që ai është personi që në vitin ‘90 u çua për të sjellë ndryshimin. Mesazhi im sot është për të rinjtë dhe të rejat, që hajde organizohemi, çohemi dhe të luftojmë dhe të guxojmë për ëndrrat tona, t’i fitojmë betejat tona për më shumë liri, demokraci, meritokraci”, tha Rudina Hajdari.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re