Rudina Hajdari është shprehur se nuk do të kthehet pranë Partisë Demokratike nëse në krye të saj do të vijojë të jetë Lulzim Basha.

Në një intervistë për “Top Talk”, Hajdari iu përgjigj kërkesës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili tha se Hajdari duhet të rikthehet me urgjencë në krye të PD-së.

Por, Hajdari nuk është as pro kthimit të Berishës në krye të Partisë Demokratike. Hajdari tha se PD-ja po mbahet peng nga këta dy politikanë dhe ka nevojë për një reformim të thellë.

“Nuk bëhem pjesë e Partisë Demokratike deri në momentin që të bindem që kryetari apo kushdo që të jetë në krye të partisë nuk më inspiron dhe nuk më jep dëshirën që të punoj me të. Deri në atë moment unë nuk mendoj që do të merrem dot.

Janë të njëjtët njerëz që kanë bërë përjashtime, kanë përjashtuar njerëz nga partia dhe janë sjellë në mënyrën si janë sjellë. Të gjithë i dimë këto situata. Nuk kemi nevojë tani të shikojmë pikëpamjen historike.

Në momentin që çdokush ka dalë kundër kryetarit, është përzënë. Tani po ndodh rëndom, por ka ndodhur edhe gjatë kohës kur kryetar ishte Berisha.

Ndaj, si mund të besohet që mund të ketë hapje të Partisë Demokratike nëse janë po të njëjtët kryetarë që kanë bërë po të njëjtën sjellje.

Sot, PD nuk duhet të mbahet peng nga dy persona apo njerëz të tjerë që ne mund të gjejmë dhe mendoj se demokratët duhet të shkojnë përtej interesave të kryetarëve. Mendoj që PD-ja është më e rëndësishme se aq.

Ka më shumë vlera se dy kryetarët e saj. Berisha ka qenë në krye të asaj partie për një kohë shumë të gjatë dhe i ka dhënë shumë partisë dhe vendit.

Nuk ka çfarë të japë më shumë. Ai me gabimet e veta ka marrë sa ka mundur nga kjo parti dhe nga Shqipëria. Ka qenë në poste shumë të rëndësishme,”- tha Hajdari ndër të tjera.

Nga foltorja me gratë demokratike në Tiranë, Berisha tha se figura që i mungon Partisë Demokratike është Rudina Hajdari.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re