Ministri i Mbrojtjes i Rumanisë, Vasile Dincu, ka deklaruar se vendi i tij mund të pranojë mbi 500 mijë refugjatë ukrainas nëse vendi pushtohet nga Rusia.

Duke folur në një konferencë për media, Dincu tha se Rumania nuk pret një fluks të madh refugjatësh në vend, por theksoi se vendi është i përgatitur të pranojë mbi 500 mijë refugjatë nëse është e nevojshme.

Dincu tha se Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Punëve të Brendshme bashkërisht po përcaktojnë zona për strehimin e refugjatëve përgjatë kufirit në rast të një lufte midis Rusisë dhe Ukrainës.

Duke u kërkuar rumunëve të qëndrojnë të qetë, Dincu tha se nuk do të ketë luftë në tokën e tyre.

Ministri rumun tha se kushtet për një konflikt të armatosur janë shfaqur.

“Shpresoj që të vazhdojnë të flasin diplomatët, jo ushtarët”, u shpreh Dincu.

Pas një fjalimi mbrëmë vonë ku Rusia njohu si të pavarura rajonet e shkëputura në Ukrainën lindore, Putin njoftoi se Rusia do të dërgojë trupa në ato zona të “ruajtur paqen”.

Njoftimet tërhoqën një kritikë të gjerë globale, duke theksuar se kjo masë shkel Kartën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe ligjin ndërkombëtar, me vendet perëndimore që u zotuan se do të vendosin sanksione të reja.

Në vitin 2014, pasi pushtoi Gadishullin e Krimesë së Ukrainës, Moska filloi të mbështesë forcat separatiste në Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore, një politikë që ajo e ka vazhduar gjatë shtatë viteve të fundit. Konflikti, sipas vlerësimeve të OKB-së, ka marrë jetën e më shumë se 13 mijë personave.

Lëvizjet e fundit të presidentit Putin pasojnë pasi Rusia grumbulloi mbi 100 mijë trupa dhe pajisje të rënda brenda dhe përreth Ukrainës, me SHBA-në dhe vendet perëndimore që e akuzojnë se ka krijuar terren për një pushtim.

Rusia ka mohuar se po përgatit një pushtim dhe pretendon se vendet perëndimore minuan sigurinë e saj përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve të saj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re