Skip to content

Rusia akuzon grupin ukrainas për sulm ndërkufitar

Përleshje të dhunshme shpërthyen përgjatë kufirit midis Rusisë dhe Ukrainës, me Moskën që akuzoi një “grup sabotues” ukrainas për përpjekje për të shkelur territorin rus – një akuzë që Kievi zyrtar e mohoi.

 

Më 22 maj, në rajonin e Belgorodit u dëgjua zhurma e shpërthimeve dhe të shtënave sporadike, siç konfirmoi guvernatori lokal, Vyacheslav Gladkov. Ai deklaroi se konflikti ishte shtrirë në rrethin Graivoron të Rusisë, i cili ndan një kufi me Ukrainën.

 

Tetë persona janë lënduar nga luftimet deri tani dhe situata mbetet e tensionuar, tha guvernatori. Shumica e banorëve në Graivoron dhe fshatrat fqinje janë evakuuar, shtoi ai. Nuk është raportuar për viktima.

 

Infiltrimi në territorin rus mund të jetë potencialisht më i rëndësishmi që kur Kremlini filloi luftën kundër Ukrainës 15 muaj më parë, duke vënë në pah mungesën e përgjithshme të fuqisë punëtore në Moskë.

 

Ndërkohë, forcat ukrainase thanë se vazhduan të zmbrapsnin sulmet përgjatë gjithë vijës së frontit Bahmut-Avdivka-Marinka, në rajonin e Donjeckut.

 

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha në raportin e tij ditor se forcat e tij mposhtën 37 sulme ruse në 24 orë.

 

Forcat ruse kryen 52 sulme raketore dhe ajrore në objektiva ushtarake dhe civile ukrainase, tha ushtria.

 

Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake rajonale të Donjeckut, tha se dy civilë u vranë nga bombardimet ruse në rajon.

 

Në rajonin jugor të Khersonit, sulmet ruse vranë një person, tha më 22 maj Oleksandr Prokudin, kreu i administratës rajonale të këtij rajoni./REL