Fillimi i vitit 2025 duket se shënon një fazë të re në garën e armëve, duke sjellë kujtime të ditëve të Luftës së Ftohtë. Këtë herë, megjithatë, konkurrenca mund të ndahet në dy fronte të dallueshme. Nga njëra anë, është Paqësori, ku Kina dhe Shtetet e Bashkuara tashmë po matin forcën e tyre; nga ana tjetër, një teatër më afër Evropës, me një sfidë që përfshin NATO-n dhe Rusinë.
2024 përfundoi me rezultate më pak se inkurajuese për industrinë evropiane të mbrojtjes. Mundësia e një reduktimi të përfshirjes së SHBA-së në sigurinë e kontinentit ka ngritur shqetësime, duke i imponuar Evropës nevojën për të forcuar aftësitë e veta. Kjo nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri e imponuar nga agresioni në rritje rus.
Rusia ka nisur një garë të re armatimi të fokusuar në armët me rreze të gjatë, duke i përdorur ato si një levë presioni ndaj Evropës. Moska ka investuar tashmë burime të konsiderueshme në xhevahirin e saj më të fundit teknologjik, raketën balistike me rreze të mesme veprimi “Orshenik”. Këto armë lejojnë që i gjithë kontinenti evropian të kërcënohet me një kosto më të ulët se raketat ndërkontinentale, duke liruar kështu burimet për t’u fokusuar në Shtetet e Bashkuara.
Në kontekstin e NATO-s tashmë është kuptuar se një mbrojtje pasive, si ajo e ofruar nga sistemet mbrojtëse të ngjashme me “Kupolën e Hekurt” izraelite, nuk është e mjaftueshme. Është e nevojshme të zhvillohen aftësi sulmuese, duke përfshirë raketat balistike me një rreze veprimi prej më shumë se 1000 kilometrash. Franca ka nisur tashmë diskutimet në këtë drejtim, duke theksuar urgjencën e veprimeve konkrete.
Rusia tashmë ka infrastrukturën industriale të nevojshme për prodhimin masiv të raketave dhe dronëve, shumë prej tyre të ndërtuara mbi teknologjitë e shitura në të kaluarën nga kompanitë evropiane.
Për Evropën, hapi i parë do të jetë ndërtimi nga e para e aftësive industriale të nevojshme për të konkurruar. Përvoja e fundit e rëndësishme në sektorin e raketave balistike daton në vitet 1980 me Hadesin francez, ndërsa vende të tjera, si Gjermania, i braktisën këto projekte nën presionin e Shteteve të Bashkuara ose për shkak të kufizimeve historike.
Pavarësisht gjithçkaje, rikthimi i teknologjive të gjysmë shekulli më parë nuk duhet të përfaqësojnë një problem të pakapërcyeshëm për vendet evropiane. Sfida e vërtetë do të jetë prodhimi i shpejtë i armëve moderne dhe efikase në sasi të mjaftueshme që të përputhen me ritmin e prodhimit të Rusisë, e cila tashmë ka një avantazh të konsiderueshëm, siç raportohet nga portali rus Defence Express.
Kontinenti i Vjetër duhet të pranojë se “numërimi mbrapsht” për t’u përgatitur për një përballje të mundshme tashmë ka filluar. Vetëm veprimet e koordinuara dhe vendimtare do të jenë në gjendje të garantojnë se Evropa është e gatshme të mbrohet në një peizazh ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm.
