Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Igor Konashenkov njoftoi se njësitë ushtarake ruse kanë filluar të tërhiqen në pozicionet në anën e majtë të lumit Dnipro në Ukrainë.

Konashenkov ndau informacion lidhur me veprimet e trupave ushtarake ruse në luftën Rusi-Ukrainë.

Ai tha se forcat ruse kanë filluar të tërhiqen në anën e majtë të lumit Dnipro në qytetin Kherson të Ukrainës. “Njësitë ruse në drejtim të Mykolaivit dhe Kryvyi Rih, po kryejnë kalimin në pozicionet e përgatitura në anën e majtë të lumit Dnipro në kuadër të planit të miratuar”, tha Konashenkov.

Konashenkov theksoi se janë zmbrapsur sulmet e Forcave të Armatosura të Ukrainës në drejtim të Kupyansk, Krasnıy Liman, në jug të Donetskut dhe se në përleshjet e shënuara këtu janë neutralizuar mbi 200 ushtarë ukrainas si dhe janë shkatërruar shumë pajisje ushtarake.

“Në 24 orët e fundit janë shkatërruar dy qendra drejtuese dhe depo të municioneve dhe karburantit të ushtrisë ukrainase”, tha Konashenkov i cili shtoi se janë rrëzuar një avion luftarak “Su-25”, një helikopter “Mi-8” dhe 9 mjete ajrore pa pilot.

“Deri më sot janë rrëzuar 333 avionë, 173 helikopterë, 2.479 mjete ajrore pa pilot ndërsa janë shkatërruar 388 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 6.491 tanke dhe mjete të blinduara, 885 multi-raketahedhëse, 3.564 obusë dhe mortaja si dhe 7.158 mjete ushtarake të veçanta të ushtrisë së Ukrainës”, deklaroi Konashenkov.

Ministria ruse e Mbrojtjes kishte deklaruar se vija e mbrojtjes në qytetin Kherson do të tërhiqet në anën e majtë të lumit Dnipro.

Presidenti rus Vladimir Putin, më 30 shtator nënshkroi dokumentet ndërsa më 5 tetor ligjet për aneksimin nga Rusia të rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia të Ukrainës.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re