Kremlini zyrtar thotë se një fjalim që supozohej se ishte dhënë nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, për vendosjen e ligjit ushtarak në tre rajonet e Rusisë në kufi me Ukrainën dhe ku u dha njoftimi për “një mobilizim në shkallë të plotë” ishte “i rremë”.

 

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se fjalimi i transmetuar në disa radiostacione më 5 qershor, ku dëgjohej një zë i ngjashëm me atë të liderit rus ishte rezultat i një sulmi kibernetik nga hakerë në disa rajone të vendit.

 

Ai tha se tashmë kanë filluar hetimet për këtë sulm.

 

Deklarata e Peskovit erdhi disa orë pasi disa radiostacione në Rusi transmetuan atë që u prezantua si një deklaratë nga presidenti Putin, në të cilën u njoftua se forcat ukrainase “të armatosura deri në dhëmbë nga NATO-ja dhe me mbështetjen dhe miratimin e Uashingtonit” pushtuan zonat Kursk, Belgorod dhe Bryansk dhe se në ato zona po vendosej “ligji ushtarak”.

 

“Gjithashtu, sot do ta miratoj një dekret për një mobilizim të plotë sepse për ta mbizotëruar armikun e rrezikshëm, ne duhet t’i bashkojmë të gjitha forcat e Federatës Ruse”, thuhej në fjalimin që u dëgjua me një zë të ngjashëm me atë të Putinit në transmetim.

 

Peskov tha “kontrolli është rivendosur tashmë”, por jo përpara se disa përdorues të internetit ta publikonin deklaratën e regjistruar në platformën Telegram.

 

Autoritetet lokale në rajonet e Belgorodit dhe Voronezhir gjithashtu e kanë quajtur njoftimin të rremë.

 

Vendet ruse në kufi me Ukrainën, veçanërisht rajoni i Belgorodit, janë granatuar dhe sulmuar me dronë gjatë ditëve të fundit. Megjithatë, atje nuk është vendosur as ligji ushtarak dhe as nuk është ndërmarrë ndonjë masë për evakuimin masiv të banorëve vendas.

 

Ukraina ka mohuar çdo përfshirje në këto sulme, ndërsa i ashtuquajturi Korpusi Vullnetar Rus dhe Legjioni i Rusisë së Lirë, i përbërë kryesisht nga shtetas rusë, kanë marrë përgjegjësi për sulmet./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re