Rusia ka hapur gjithsej 14 qendra në Siri për të mbledhur mercenarë nga rajoni i regjimit të Bashar Al-Asadit në Siri me qëllim për t’i dërguar për të luftuar në Ukrainë.

Sipas informacioneve që AA-ja ka marrë nga burime të besueshme, thuhet se forcat ruse në Siri me fillimin e luftës nga Rusia më 24 shkurt në Ukrainë kanë kaluar në veprim për të mbledhur mercenarë nga Siria për t’i dërguar që të luftojnë në radhët e tyre në Ukrainë.

Për këtë qëllim janë hapur 14 qendra regjistrimi, përfshirë kryeqytetin Damask dhe qytetet Halep, Hama, Latakia, Deir ez-Zor, Rakka dhe Dera.

Në qendrat nën përgjegjësinë e forcave speciale ruse në Siri, kanë aplikuar mijëra persona nga milicët mbështetës të regjimit të Asadit të emërtuar “Shabiha” dhe nga njësitë pro-regjimit nën udhëheqjen e Rusisë të emërtuar si Korpusi i 5-të.

Në mesin e atyre që kanë aplikuar mësohet se do të kenë përparësi ata të cilët kanë përvojë në përdorimin e snaiperëve dhe armëve të rënda, raketahedhës, topa dhe mortaja.

Për luftëtarët që kërkohet të dërgohen në Ukrainë do të bëhet një marrëveshje për të paktën 6 muaj dhe gjatë kësaj periudhe do të paguhen nga 300 deri në 600 dollarë nën muaj.

Mësohet se luftëtarët me përvojë ushtarake, aplikimet e të cilëve pranohen, do të dërgohen në Ukrainë pas një trajnimi të shkurtër në bazën ruse Himejmim në Latakia.

Rusia edhe më parë nga rajoni i regjimit ka dërguar mijëra luftëtarë për të luftuar në Libi në radhën e Khalifa Haftarit, liderit të forcave të armatosura në lindje të Libisë.

– Putin dha miratim për luftëtarët “vullnetarë” nga Lindja e Mesme që do të përfshihen në anën e Rusisë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në takimin e Këshillit të Sigurisë që zhvilloi nëpërmjet internetit dha urdhër që “luftëtarët vullnetarë” të cilët do të vijnë nga Lindja e Mesme dhe që do marrin pjesë në anën e Rusisë të dërgohen në zonat e konfliktit në Ukrainë.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu tha se 16 mijë “vullnetarë” kryesisht nga Lindja e Mesme kanë aplikuar për të luftuar kundër ushtrisë së Ukrainës. “Sigurisht që e shohim të drejtë të japim përgjigje pozitive ndaj kësaj, aq më tepër që këto kërkesa nuk janë kryesisht për para, por janë dëshirë e këtyre njerëzve. Shumë prej tyre i njohim, ata kanë ndihmuar në luftën kundër organizatës terroriste DEASH në kohën më të vështirë në këto 10 vitet e fundit”, tha Shoygu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re