Igor Konashenkov deklaroi gjatë një konference për shtyp se administrata e Kievit ka transformuar një poligon dhe një vendbanim në provincën e Lvivit, në një qendër përgatitore e koordinuese për luftëtarët mercenarë të huaj që do të dërgoheshin në zonat e konfliktit kundër trupave ruse.
Ai theksoi gjithashtu se në këtë rajon është ngritur një bazë depozitimi për armët dhe pajisjet ushtarake të siguruara nga vendet e huaja.
“Mëngjesin e 13 marsit, ne goditëm qendrat stërvitore të Forcave të Armatosura të Ukrainës në fshatin Stariçi dhe zonën ushtarake Javorovski me armë me rreze të gjatë veprimi dhe me precizion të lartë. Si përfundim, u asgjësuan rreth 180 luftëtarë mercenarë të huaj dhe shumë armë të huaja. Asgjësimi i luftëtarëve të huaj, të cilët kanë ardhur në territorin e Ukrainës, do të vazhdojë”, sqaroi gjenerali rus.
Pasi vuri në pah se gjithsej 3.920 objekte të infrastrukturës ushtarake të Forcave të Armatosura të Ukrainës janë goditur deri më sot, Konashenkov vijoi me këto fjalë: “Janë shkatërruar 100 avionë, 143 mjete ajrore pa pilotë, 1.267 tanke e autoblinda, 124 raketahedhës shumëgrykësh, 457 obusë e mortaja, si dhe 1.028 mjete ushtarake speciale të Forcave të Armatosura të Ukrainës.”
Zyrtari rus njoftoi gjithashtu se 44 persona, mes të cilëve edhe 8 fëmijë, janë evakuuar nga Mariupoli, qytet në brigjet juglindore të Ukrainës.
Trupat ruse filluan një ofensivë në Ukrainë më 24 shkurt (2022).
