Rusia tha se ka rrëzuar dy dronë ukrainas afër Moskës të mërkurën. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se një dron u rrëzua afër një aeroporti të madh në jug të qytetit dhe një në perëndim të Moskës.

 

“Një përpjekje nga regjimi i Kievit për të kryer sulm terrorist me dronë është parandaluar mbi territorin e rajonit të Moskës”, tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.

 

“Dy dronë janë shkatërruar nga mbrojtja ajrore”, u tha në njoftim.

 

Një dron u rrëzua afër Domodedovo, ku gjendet një prej aeroporteve më të mëdha ndërkombëtare të Rusisë dhe një tjetër fluturake u rrëzua afër autostradës së Minskut, tha kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin.

 

Autoritetet ruse thanë se nuk ka “viktima e as dëme”.

 

Kievi, që shmang konfirmimin e sulmeve të mundshme në territorin rus, ende nuk ka reaguar për këto pretendime të Moskës.

 

Javëve të fundit janë shpeshtuar pretendimet e autoriteteve ruse për sulme të dyshuara ukrainase në Moskë apo në gadishullin e aneksuar ukrainas të Krimesë./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re