Ministri i Jashtëm, Igli Hasani gjatë konferencës së përbashkët me homologun e Malit të Zi, Filip Ivanović ngriti shqetësimin se Rusia kërkon të destabilizojë rajonin e Ballkanit.

Ai theksoi se lufta që Rusia po zhvillon në Ukrainë, por edhe kriza në Lindjen e Mesme kanë prodhuar shumë pasiguri në Evropë dhe botë.

“Agresioni i paligjshëm rus në Ukrainë e kriza në Lindjen e Mesme kanë prodhuar mjaft pasiguri në Europë e në botë e padyshim kanë pasur një ndikim të ndjeshëm edhe në rajonin tonë. I cili sot ndodhet në një nga momentet më delikate të viteve të fundit. Shqipëria, si një vend anëtar i NATO, e sheh me shqetësim rolin e aktorëve si Rusia, që kërkojnë të rrisnin tensionet e të shkaktojnë destabilizim të rajonit”, tha Hasani.

Gjatë fjalës së tij, Hasani  tha Shqipëria e konsideron Malin e Zi si një aleat të pazëvendësueshëm.

“Bashkëpunimi mes dy vendeve tona, ka shënuar një progres të dukshëm dhe jam besimplotë se ky bashkëpunim do të vijojë dhe me qeverinë e re”, tha ai.

Fjala e ministrit Hasani

Është kënaqësi për mua që jam sot në Podgoricë për vizitën time të parë dypalëshe në Mal të Zi. Dua të falënderoj shumë kolegun Ivanoviç për mikpritjen e për diskutimet e hapura që patëm.

Kjo vizitë është në fakt pjesë e një turi rajonal që ka për qëllim ndarjen e ideve e mendimeve mbi punën që duhet të bëjmë të gjithë së bashku për të mirën e rajonit e për të mirën e qytetarëve tanë, për të avancuar bashkëpunimin dhe projektet e shumta mes nesh, por edhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në hapësirën euroatlantike.

Mali i Zi është për Shqipërinë një partner me një rëndësi të veçantë. Një vend, marrëdhëniet me të cilin janë një model i fqinjësisë së mirë dhe i bashkëpunimit. Shqipëria e konsideron Malin e Zi një aleat të pazëvendësueshëm në NATO dhe në të gjithë procesin e anëtarësimit në BE.

Kam kënaqësinë i nderuar Ministër, të konstatoj që bashkëpunimi mes dy vendeve tona, sidomos gjatë viteve të fundit ka shënuar një progres të dukshëm. Dialogu politik është intensifikuar dhe kontributi ynë për paqen, sigurinë dhe orientimin euroatlantik të rajonit ka ardhur duke u shtuar. Jam besimplotë që ky bashkëpunim do të vijojë dhe me qeverinë tuaj.

Me kolegun Ivanoviç ne patëm mundësinë të bisedojmë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, ku pjesë thelbësore e diskutimit tonë ishte zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara së fundmi, në mbledhjen e dytë të përbashkët të dy qeverive. E kam fjalën këtu për marrëveshjet për hapjen e pikave të reja kufitare, rritjen e investimeve dhe projekteve në zonat ndërkufitare, me një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së këtyre zonave, të transportit rrugor, ujor e hekurudhor, me fokus përfshirjen në korridoret evropiane.

Përtej këtyre projekteve, në kuadrin e bashkëpunimit ndërkufitar vlerësoj angazhimin e dy qeverive tona për aplikime të përbashkëta për fondet e Bashkimit Europian për përmirësimin e ndërlidhjes, akseve të ndryshme rrugore, bashkëpunimit shkencor, kulturor, arsimor si dhe në shumë fusha të tjera.

Një nga projektet më të rëndësishme, siç e përmëndi dhe ministri Ivanović është padyshim ndërtimi i urës mbi lumin Buna, një projekt që do të nxisë perspektivën e zhvillimit në të dy vendet tona dhe do t’i shërbejë integrimit rajonal dhe qarkullimit më të mirë të mallrave.

Po tek infrastruktura, vendet tona mbeten të angazhuara për ndërtimin e Autostradës Adriatiko-Joniane, e cila duhet të mbetet një nga prioritetet tona strategjike, sepse lidh Europën Qendrore me bregdetin Adriatiko-Jonian duke sjellë kësisoj një transformim të perspektivës ekonomike të mbarë rajonit.

Një vend të posaçëm i kushtuam rolit të çmuar që luajnë shqiptarët në Malin e Zi dhe minoriteti malazez në Shqipëri, si elementë përbashkues e një pasuri për shoqëritë tona. Me miratimin e Ligjit për Minoritetet, Shqipëria i ka dhënë minoritetit malazez vendin dhe vlerën që i takon.

E me këtë rast, dua ta përshëndes në mënyrë të veçantë rolin e faktorit shqiptar jo vetëm në Malin e Zi, por edhe në rajon, për faktin që kurdoherë është udhëhequr nga parimet demokratike, të respektimit të rendit kushtetues të vendeve ku jetojnë dhe të përqafimit të vlerave evropiane

Agresioni i paligjshëm rus në Ukrainë e kriza në Lindjen e Mesme kanë prodhuar mjaft pasiguri në Europë e në botë e padyshim kanë pasur një ndikim të ndjeshëm edhe në rajonin tonë. I cili sot ndodhet në një nga momentet më delikate të viteve të fundit.

Shqipëria, si një vend anëtar i NATO, e sheh me shqetësim rolin e aktorëve si Rusia, që kërkojnë të rrisnin tensionet e të shkaktojnë destabilizim të rajonit.

Jemi të shqetësuar edhe nga zhvillimet e paradokoshme në Veriun e Kosovës e nga shtimi i një retorike që vë në pikëpyetje orientimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor nga disa forca e grupime në vende të ndryshme të rajonit.

Jemi të shqetësuar edhe nga ngadalësimi i ritmit të reformave në disa prej vendeve të rajonit.

Për Shqipërinë e ardhmja e Ballkanit Perëndimor duhet të udhëhiqet nga vlerat demokratike dhe një orientim i qartë euro-atlantik.

Është pikërisht ky vizion i përbashkët që qëndron në themel të miqësisë mes vendeve tona. Ne besojmë që vende si Shqipëria e Mali i Zi, që udhëhiqen nga ky vizion, kanë sot detyrimin të punojnë më shumë për të çuar përpara reformat integruese dhe bashkëpunimin rajonal.

Ky është edhe objektivi kryesor që do të informojë punën tonë gjatë kryesimit të disa nismave rajonale në vitin 2024, për çka do të mirëprisnim edhe bashkëpunimin maksimal të Malit të Zi si një vend mik e një partner i rëndësishëm në këtë rrugëtim.

Siç mund ta dini, në fund të vitit 2023 Shqipëria kaloi me sukses provën e shqyrtimit analitik të legjislacionit shqiptarë për të vlerësuar përputhshmërinë me acqui, si dhe procesin screening.

Shqipëria tashmë është gati për Konferencën e dytë Ndërqeveritare sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, vendeve anëtare, reflektuar këto dhe në konkluzionet e Këshillit Evropian, të datës 12 dhjetor.

Mali i Zi është një nga vendet e rajonit që ka avancuar më shumë në proceset integruese në BE. Ne shpresojmë që qeveria malazeze do ta përshpejtojë akoma më shumë ritmin e reformave sepse avancimi i çdonjërit nga vendet tona në procesin e integrimit është një kontribut i vyer për mbarë rajonin.

Unë shpresoj vërtet, që eksperiencat e mira të Malit të Zi ti shërbejn Shqipërisë, dhe ato të Shqipërisë ti shërbejnë Malit të Zi, për një të ardhme  sa më të mirë e sa më  të begatë!

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re