Ministria e Jashtme e Rusisë tha se vendimi i Islandës për të pezulluar aktivitetet e ambasadës në Moskë “shkatërron” bashkëpunimin dypalësh.

 

Islanda tha të premten se aktivitetet do të pezullohen nga 1 gushti për shkak të një niveli “të ulët” të marrëdhënieve tregtare, kulturore dhe politike midis vendeve, duke shtuar se i kishte kërkuar Rusisë të zvogëlonte aktivitetet e saj diplomatike në kryeqytetin islandez, Reikjavik, raporton REL.

 

“Vendimi i marrë nga autoritetet islandeze për të ulur nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë shkatërron të gjithë gamën e bashkëpunimit ruso-islandez”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë.

 

“Ne do ta marrim parasysh këtë vendim jomiqësor kur ndërtojmë lidhjet tona me Islandën në të ardhmen. Të gjitha veprimet anti-ruse të Reikjavikut do të pasohen në mënyrë të pashmangshme nga një reagim përkatës,” thuhet më tej në deklaratë.

 

Kur shpalli vendimin e saj, Islanda, tha se marrëdhëniet diplomatike nuk ishin ndërprerë dhe se ambasada do të rihapet sapo të normalizohen marrëdhëniet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko