Zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy ka kritikuar vendet perëndimore që kanë referuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për krizën e emigrantëve në kufirin Bjellorusi-Poloni, duke theksuar se këto vende kanë “treguar tendencë mazokiste”.
Këshilli me 15 anëtarë diskutoi krizën e emigrantëve mes Bjellorusisë dhe Polonisë në një seancë të mbyllur me kërkesën e bërë nga vendet e Bashkimit Evropian Estonia, Franca, Irlanda si dhe nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Norvegjia.
Përfaqësuesit e vendeve perëndimore në një deklaratë të përbashkët pas takimit dënuan Bjellorusinë duke e akuzuar se për qëllime politike vendos në rrezik jetët e personave të cilët janë në kërkim të migrimit në Evropë.
Gjithashtu përfaqësuesit akuzuan Bjellorusinë edhe për destabilizim të kufijve të BE-së dhe vendeve fqinje për të larguar vëmendjen nga ajo për shkeljet e të drejtave të njeriut në rritje. Në deklaratë përfaqësuesit theksuan se kjo taktikë nuk mund të pranohet dhe se “regjimi i Lukashenkos kërcënon stabilitetin rajonal”.
Vendet perëndimore duke u bërë thirrje zyrtarëve bjellorusë që t’u japin fund këtyre veprimeve “çnjerëzore” dhe rrezikimit të jetëve të njerëzve, deklaruan më tej se do ta mbrojnë BE-në përballë këtyre operacioneve hibride të Bjellorusisë.
Polyanskiy ka drejtuar kritika të ashpra ndaj vendeve perëndimore të cilat kanë referuar krizën e emigrantëve të Polonisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Ai kritikoi vendet perëndimore se kanë treguar “tendencë mazokiste” dhe shtoi se këto persona që kërkojnë të shkojnë në Evropë kthehen prapa nga kufiri i Polonisë dhe se lajmet për rrahjen e tyre janë turpëruese.
