“Përpjekjet e SHBA-ve për themelimin e ushtrisë në Siri mund të dëmtojnë integritetin territorial të këtij shteti”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, kritikoi planin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për të formuar një ushtri të udhëhequr nga organizata terroriste PKK/PYD në Siri, duke paralajmëruar se kjo mund të rrezikojë integritetin territorial të Sirisë, raporton AA.
Duke folur në konferencën e tij vjetore për media në Moskë, Sergey Lavrov vuri në dukje problemet e mundshme që plani i SHBA-ve mund të shkaktojë në marrëdhëniet e Turqisë me kurdët.
“Projekti i njëanshëm i SHBA-ve për themelimin e ushtrisë në Siri, i cili i ngjan një ultimatumi, mund të shkaktojë probleme në marrëdhëniet mes Turqisë dhe kurdëve dhe nuk mund të ndihmojë në zbutjen e gjendjes në Afrin”, tha shefi i diplomacisë ruse.
“Përpjekjet e SHBA-ve për themelimin e ushtrisë në Siri mund të dëmtojnë integritetin territorial të këtij shteti. Ne presim një deklaratë të detajuar nga SHBA-të për këtë çështje”, theksoi ai.
Reagimi i Rusisë vjen pasi të dielën, koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-të kundër organizatës terroriste DEASH njoftoi se do të krijojë një forcë të re sigurie kufitare prej 30 mijë trupash me Forcat Demokratike Siriane (FDS), grupin e mbështetur nga SHBA-të dhe të kontrolluar dhe drejtuar nga organizata terroriste PKK/PYD në Siri.
“Koalicioni po punon së bashku me FDS-në për të krijuar dhe trajnuar Forcën e Re të Sigurisë Kufitare të Sirisë (BSF)”, ka thënë në një deklaratë për shkrim për AA Ryan Dillon, zëdhënës i koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të, zyrtarisht i njohur si Task Forca e Përbashkët e Kombinuar – Operacioni Vendosmëria e Natyrshme.
“Aktualisht, ka rreth 230 individë që trajnojnë në klasën inauguruese të BSF-së, kurse qëllimi përfundimtar i madhësisë së saj është rreth 30 mijë”, ka shtuar ai.
Turqia e ka dënuar këtë hap, duke e cilësuar si “të gabuar dhe të kundërshtueshëm” bashkëpunimin me organizatën terroriste PKK/PYD në terren në Siri duke u arsyetuar me luftën kundër DEASH-it.
“Për më tepër, Turqia, e cila është anëtare e koalicionit, nuk është konsultuar për krijimin e të ashtuquajturës “Forca e Mbrojtjes së Kufirit të Sirisë”, thuhej në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Turqisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re