Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, Valeriy Gerasimov, tha se pretendimet që “vendi i tij ka kryer përgatitje për të sulmuar Ukrainën” janë “gënjeshtra”.

Në një konferencë në kryeqytetin Moskë ku morën pjesë atashetë ushtarakë të shteteve të huaja, Gerasimov bëri deklarata lidhur me rendin e ditës.

Në vlerësimin e tij lidhur me pretendimet se Rusia do të sulmojë Ukrainën, Gerasimov deklaroi:

“Vendet e NATO-s u kushtojnë jashtëzakonisht rëndësi lëvizjeve të njësive ruse brenda vendit tonë. Ndryshimi i pozicionit të njësive ushtarake gjatë trajnimit, është një praktikë rutinë për forcat e armatosura të çdo shteti. Aktivitetet ushtarake zhvillohen në territoret tona kombëtare dhe nuk e bëjnë të nevojshme informimin. Pretendimet në shtyp se ‘Rusia ka zhvilluar përgatitje për të kryer sulm ndaj Ukrainës’ janë gënjeshtër”.

Ai tha se janë bërë informime që në Donbas në lindje të Ukrainës janë përdorur sistemet raketore anti-tank Javelin. Gerasimov tha që “Do të pengohet çdo veprim nxitës i qeverisë së Ukrainës për të zgjidhur problemin në Donbas me forcë”.

“SHBA-ja po rrit praninë e saj në kufijtë në lindje të Rusisë”

SHBA-ja ka rritur praninë e saj në kufijtë në lindje të Rusisë, theksoi më tej Gerasimov, duke shtuar se “Kohët e fundit ka një rritje serioze në numrin e fluturimeve nga forcat strategjike ajrore amerikane në afërsi të kufijve lindorë të vendit tonë”.

“Në çdo situatë sistemet tona të mbrojtjes ajrore i përcaktojnë në kohë këto objektiva dhe i parandalojnë incidentet”, shtoi Gerasimov.

“SHBA-ja po përpiqet të heqë kufizimet për zhvillimin e armëve”

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, Valeriy Gerasimov, theksoi se sistemi i kontrollit të armëve është “prishur” dhe se SHBA-ja po përpiqet të heqë kufizimet për zhvillimin e armëve.

Ai rikujtoi se SHBA-ja është tërhequr nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) dhe Marrëveshja e Qiejve të Hapur.

“Vendosja e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër në rajonet e Evropës dhe Azi-Paqësorit përbën një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe globale”, deklaroi Gerasimov.

Gerasimov theksoi se SHBA-ja nuk është e gatshme të marrë përsipër përgjegjësitë ndërkombëtare për të penguar garën e armëve në hapësirë.

Çështja e Sirisë

Në vlerësimin e tij, Gerasimov përmendi edhe çështjen e Sirisë, ku deklaroi se elementët e armatosur që ndodhen në mënyrë të paligjshme në këtë vend po përpiqen të zgjerojnë fushat e tyre të ndikimit.

“Kjo është shkaktuar nga prania e paligjshme e SHBA-së dhe disa vendeve të tjera në Siri, gjë që ul efektivitetin e luftës kundër organizatave terroriste” shtoi Gerasimov.

Duke dhënë si shembull Turqinë, Gerasimov u shpreh se Turqia vazhdon punimet për sigurimin e armëpushimit dhe zbatimin e marrëveshjeve lidhur me rajonin e deeskalimit Idlib.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re