Pas sulmit me raketa në portin e Odesës, Rusia ka mohuar të ketë goditur infrastrukturën civile.

 

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova ka sqaruar se sulmi me raketa kalibër ka shkatërruar vetëm infrastrukturën ushtarake në portin e Odessa dhe se ai ka qenë me precizion të lartë.

 

Sulmi i të shtunës solli indinjatë të lartë të vendeve perëndimore të cilat e dënuan atë duke i bërë thirrje Rusisë që t’i përmbahet marrëveshjes së Stambollit.

 

Ajo I detyron të dyja vendet të respektojnë kompromisin lidhur me eksportin e drithit nga portet ukrainase.

 

Sulmi u dënua edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili akuzoi Rusinë për përkeqësim të një krize globale ushqimore dhe tha se sulmi hodhi dyshime serioze mbi besueshmërinë e angazhimit të Rusisë ndaj marrëveshjes.

 

Edhe Turqia tha se ishte e shqetësuar për sulmin. Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar tha se fakti që një incident i tillë ndodhi menjëherë pas marrëveshjes është për tu marrë në konsideratë. Ai shtoi se ka komunikuar me palën ruse dhe se ata e kanë mohuar ngjarjen.

 

Ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky deklaroi se ky ishte një akt barbarizmi.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re