Pedagogu dhe politologu, Agim Krasniqi ka dhënë një intervistë për emisionin “Me Xhaxhiun” në Fax News, ku nëpërmjet një lidhje “skype” ka folur mbi zhvillimin e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë dhe mbi atë se çfarë pritet të ndodhë dhe cila prej palëve mund të dalë e fituar.

Krasniqi tha se momenti kur bisedimet do të thellohen do të jetë kur të vendosen vijat e frontit dhe Rusia të kuptojë qëndresën e ukrainasve.

Sa i përket ndikimit në Ballkan, politologu u shpreh se plani i Rusisë nuk shkoi siç duhet me zgjatjen e pushtimti të Ukrainës por shtoi se ende kishte mundësi ndikimi në disa shtete si Bosnja, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova veriore duke përdorur grupime ekstremiste të cilat i financon prej vitesh.

Pyetje: A mund të themi se Ukraina do të dalë e humbur në këtë luftë pasi po përdoret si “mish për top” si nga ana e SHBA-ve ashtu edhe nga ana e Bashkimit Europian?

Krasniqi: Unë nuk do të mendoja kështu sepse çdo herë në realizimin e objektivave të mëdha gjithmonë duhet të përdoret një instrument që çon tek realizimi i këtyre objektivave. Prandaj edhe Ukraina duke qenë një nga shtetet efuqishme në rajon por edhe si pikë strategjike e perëndimit, u shfrytëzua rasti që të përdoret Ukraina në përcaktimin e rendit të ardhshëm botëror që pritet të ndërtohet.

Ukraina njëherë e mirë pretendon që të lirohet nga synimet e Rusisë për ta pasur nën organizimin e vetë apo nën një perandori.

Pyetje: Liderët e perëndimit nuk e kuptuan apo nuk donin ta kuptonin rrezikun e një revanshi rus?

Krasniqi: Që nga përfundimi i luftës së Dytë Botërore, Perëndimi ka humbur peshën që e ka pasur në marrëdhëniet ndërkombëtare për shekuj të tërë.

Pyetje: A mundet Rusia të përdorë potencialet e saj për një destabilizim të mundshëm të Ballkanit?

Krasniqi: Ne ende nuk i dimë pretendimet e Rusisë, sepse nuk u realizua plani për pushtimin e Ukrainës në një periudhë të shkurtër. Mirëpo ka një kohë kur do të bëhet ndarja e vijave të frontit që nënkupton pamundësinë e avancimit të rusëve në Ukrainë. Në këtë moment besoj se do thellohen bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë. Sa i përket avancimit në Ballkan, Rusia ka pasur gjithmonë grupime për destabilizimin e rajonit, thënë kështu kemi parasysh grupe dhe organizuata të ndryshme kriminale, apo qoftë edhe grupime fetare të cilat mund t’i përdorë në disa shtete. E kemi thënë se shtetet që mund të jenë lehtësisht të prekshme janë Mali i Zi, Bosnja, Serbia dhe Kosova veriore.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re