Rusia ndërpreu përkohësisht dërgesat e gazit në Evropë përmes tubacionit Nord Stream, ndërsa kompania ruse Gazprom njoftoi se ndërprerja bëhet për shkak të punës për mirëmbajtjen e gazsjellësit.

Asnjë rrjedhje gazi nuk do të jetë e disponueshme në tubacionin që kalon nën Detin Baltik drejt Gjermanisë deri më 3 shtator, thonë nga gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom.

Duke komentuar mundësinë dhe frikën që Rusia të mos rifillojë më dërgesat e gazit në Evropë edhe pas përfundimit të punës së mirëmbajtjes, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se përveç problemeve që lindin për shkak të sanksioneve perëndimore, asgjë nuk pengon dërgesat në Evropë.

“Vendet evropiane, Britania e Madhe, Kanadaja dhe SHBA-ja kanë vendosur sanksione kundër Rusisë, që nuk lejojnë punë normale të mirëmbajtjes dhe riparimit, si dhe nuk lejojnë kthimin ligjor të komponentëve dhe montimeve të nevojshme në vendet e tyre të funksionimit”, tha ai.

Në deklaratën për media më 27 korrik, Gazprom tha se do të zvogëlojë kapacitetin ditor të furnizimit të gazit natyror në Evropë përmes gazsjellësit Nord Stream në 20 për qind.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re