Këmbanat ranë sot në Hiroshima për të shënuar 77-vjetorin e hedhjes së bombës së parë atomike në botë, me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe zyrtarë të tjerë që japin alarmin për një garë të re armësh pas pushtimit rus të Ukrainës.

Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt dhe menjëherë pas kësaj, i forti i Kremlinit Vladimir Putin ngriti mundësinë e një sulmi bërthamor. Për shkak të armiqësive, shqetësimi për sigurinë e termocentraleve bërthamore të Ukrainës është intensifikuar gjithashtu.

Mijëra njerëz përmbytën Parkun e Paqes në Hiroshima për të përkujtuar rreth 140,000 viktimat e bombardimeve pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Hera e dytë kjo që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së mori pjesë në ngjarjet e përvjetorit.

“Armët bërthamore janë të pakuptimta. Ata nuk garantojnë asnjë siguri, vetëm vdekje dhe shkatërrim”, theksoi Guterres. “Pas tre çerek shekulli, duhet të pyesim veten se çfarë mësuam nga kërpudha që u ngrit në qiellin e këtij qyteti në vitin 1945”, shtoi ai.

Antonio Guterres shmangu referimin e drejtpërdrejtë ndaj Rusisë, e cila e quan pushtimin e Ukrainës një “operacion special ushtarak”.

Kryebashkiaku i Hiroshima-s, Kazumi Matsui, i cili këtë vit nuk e ftoi ambasadorin rus në Japoni në këtë ngjarje, u tregua më i ashpër në fjalimin e tij dhe kritikoi sulmin ushtarak ndaj Ukrainës.

“Duke pushtuar Ukrainën, presidenti rus, i cili u zgjodh për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve të tij, po i përdor ato si mjete lufte, duke marrë jetën dhe mjetet e jetesës së civilëve në një vend tjetër”, tha Matsui.

“Në gjithë botën, perceptimi se paqja varet nga parandalimi bërthamor po fiton vrull,” shtoi ai.

“Këto gabime tradhtojnë vendosmërinë e njerëzimit – të lindur nga përvoja jonë në luftë – për të ndërtuar një botë paqësore, pa armë bërthamore,” tha kryebashkiaku i Hiroshima-s, duke shtuar se “braktisja e idealit të paqes, e cila ruhet pa dhunë ushtarake, kërcënon vetë mbijetesën e racës njerëzore”.

 Ishte ora 8:15 e mëngjesit të datës 6 gusht 1945, kur bombarduesi amerikan B-29 “Enola Gay” hodhi bombën “Little Boy” dhe rrafshoi Hiroshima-n, e cila në atë kohë kishte një popullsi prej rreth 350 mijë banorësh. Mijëra njerëz vdiqën më vonë nga lëndimet dhe nga sëmundjet e lidhura me rrezatimin.

“Në fillim të vitit, pesë shtetet me armë bërthamore lëshuan një deklaratë të përbashkët se ‘Një luftë bërthamore nuk ka fitues dhe nuk duhet të fillojë kurrë. Pse nuk përpiqen të përmbushin premtimet e tyre? Pse disa aludojnë edhe për përdorimin e armëve bërthamore?”, deklaroi prerazi kryebashkiaku i Hiroshima-s.

Të enjten, ambasadori rus në Japoni, Mikhail Galuzin vendosi lule në memorialin e Hiroshima-s dhe siguroi gazetarët se vendi i tij nuk do të përdorte kurrë armë bërthamore.

Kryeministri japonez Fumio Kishida, i cili ka zgjedhur Hiroshima-n për të pritur samitin e G7 vitin e ardhshëm, i bëri thirrje botës të heqë dorë nga armët bërthamore.

Ditë më parë, ai u bë lideri i parë japonez që mori pjesë në konferencën për rishikimin e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT). “Ne do të vazhdojmë (përpjekjet) me qëllimin e çarmatimit bërthamor, edhe në mjedisin e sotëm të ashpër të sigurisë,” tha Kishida.

Bombardimi i Hiroshimës u pasua nga hedhja e bombës atomike në Nagasaki më 9 gusht 1945, duke vrarë më shumë se 75,000 njerëz. Japonia kapitulloi pas gjashtë ditësh, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re