Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka deklaruar se në takimin katërpalësh të mbajtur në Istanbul mes Turqisë, Rusisë, Ukrainës dhe Kombeve të Bashkuara (OKB) për daljen e grurit nga portet e Ukrainës u formuluan disa elementë të marrëveshjeve të mundshme.
Në një konferencë javore për media në kryeqytetin Moskë, Zakharova foli lidhur me çështjet aktuale.
Zakharova theksoi se dje në Istanbul u mbajt një mbledhje katërpalëshe mes delegacioneve të Turqisë, Rusisë, Ukrainës dhe delegacionit të OKB-së për sigurimin e daljes së grurit nga portet e Ukrainës.
“Në mbledhje u diskutua në mënyrë të detajuar problemi i grurit. U arrit të formulohen disa elementë të marrëveshjeve të mundshme. Këto elementë diskutohen në Rusi, Ukrainë dhe Turqia nëpërmjet institucioneve ushtarake”, tha Zakharova.
Më tej, Zakharova tha se kontaktet lidhur me grurin do të vazhdojnë në të njëjtin format.
Ajo foli për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe theksoi se vendet perëndimore i dërgojnë armë Ukrainës.
“Operacioni special ushtarak që Rusia ka ndërmarrë në Ukrainë do të vazhdojë dhe të gjitha objektivat që ka përcaktuar administrata ruse do të përmbushen, pavarësisht se SHBA dhe aleatët e saj përpiqen të forcojnë aftësitë ushtarake të regjimit të Kievit”, shtoi Zakharova.
– “Procesi i normalizimi të marrëdhënieve Turqi- Armeni në dobi të rajonit”
Në fjalën e saj lidhur me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Armenisë, Zakharova u shpreh se janë të gatshëm që të ofrojnë mbështetje për procesin në fjalë edhe në të ardhmen.
“Veprojmë nga e vërteta se kjo është në dobi të stabilitetit dhe mirëqenies ekonomike të rajonit”, deklaroi ndër të tjera Zakharova.
Burimi: AA