Skip to content

Rusia nis sulmet me raketa në Harkiv/ Zelensky bën thirrje për armatime të rënda

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Dy ditët e fundit, Rusia ka nisur sulme të reja me raketa në qytetin ukrainas të Harkivit, duke sinjalizuar një ndryshim të mundshëm të taktikave nga Moska.

 

Autoritetet ukrainase thanë se të paktën 20 persona u vranë më 22 dhe 23 qershor në qytetin e dytë më të madh të vendit, i cili shtrihet pranë kufirit rus.

 

Këshilltari presidencial ukrainas, Oleksiy Arestovych, tha në një mesazh video se qëllimi i sulmeve është të “terrorizojnë popullsinë” e qytetit. Ai gjithashtu pretendoi se sulmet janë një përpjekje e Rusisë për të devijuar trupat ukrainase nga rajoni kyç i Donbasit.

 

“Ideja është të krijohet një problem i madh për të na shpërqendruar dhe për të na detyruar të devijojmë trupat,” tha Arestovych. “Unë mendoj se do të ketë një përshkallëzim të situatës.”

 

Ndërkohë, forcat ruse kanë arritur të marrin vendbanimet Loskutivka dhe Rai-Oleksandrivka në jug të dy qyteteve të Ukrainës, Lisiçanskut dhe Severodonjeckut, të cilat janë fokusi i ofensivës ruse në rajon, deklaroi të enjten guvernatori i Luhanskut, Serhiy Gaidai.

 

Forcat ukrainase vazhdojnë mbrojtjen e Severodonjeckut dhe vendbanimeve aty pranë të Zolote dhe Vovchoyrovka, tha ai.

 

Sulmet e shumta ajrore dhe të artilerisë së Moskës kanë për qëllim shkatërrimin e të gjithë rajonit të Donbasit, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy teksa u ka kërkuar aleatëve të Ukrainës që të përshpejtojnë dërgimin e armëve të rënda për t’i bërë ballë Rusisë në fushën e betejës.

 

“Në Donbas ka sulme masive ajrore dhe artilerie. Qëllimi i pushtuesve në këtë drejtim mbetet i njëjtë – ata duan të shkatërrojnë të gjithë Donbasin hap pas hapi. Lisichansku, Sloviansk, Kramatorsk – ata synojnë të kthejnë çdo qytet në Mariupol. Plotësisht të shkatërruar”, tha Zelenskyy.

 

“Kjo është arsyeja pse ne vazhdimisht theksojmë përshpejtimin e dërgesave të armëve në Ukrainë. Ajo që nevojitet shpejt është barazia në fushën e betejës për të ndalur këtë ushtri djallëzore dhe për ta shtyrë atë përtej kufijve të Ukrainës,” shtoi ai./R.E.L

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë