Për sulme në infrastrukturën kritike në Kiev dhe qytetin lindor të Harkivit është raportuar në mëngjesin e 14 janarit, dhe më vonë në orët e pasdites.

Autoritetet në Mikollaiv, Lviv dhe portin e Odesas kanë thënë se mbrojtja ajrore është duke tentuar të rrëzojë raketat.

Për shpërthime është raportuar edhe në rajonin Vinitsja.

Moska, e cila ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, ka kohë që shënjestron me raketa dhe dronë infrastrukturën ukrainase të energjisë, duke rezultuar me probleme të energjisë dhe ngrohjes në shumë rajone të shtetit.

Ende nuk dihet shkalla e dëmeve nga vala e dytë e sulmeve brenda një dite.

Më herët gjatë ditës, kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë tanke në Ukrainë, për t’iu ndihmuar forcave ukrainase që të “zmbrapsin forcat ruse”.

Sunak e ka bërë këtë zotim duke përmendur tanket Challenger 2 dhe sisteme shtesë të artilerisë.

Sipas tij, kjo është shenjë e “ambicieve të Mbretërisë së Bashkuar për të rritur mbështetjen për Ukrainën”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./R.EL

https://berati.tv/wp-content/uploads/2023/02/makina-me-qera.png