Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia nuk e njeh juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJND).

Duke iu përgjigjur raportimeve të mediave se GJND mund të hapë dy çështje penale kundër Moskës, Peskov tha se Rusia nuk e njeh këtë gjykatë.

“Ne nuk e njohim këtë gjykatë. Ne nuk e njohim juridiksionin e kësaj gjykate. Kështu ndihemi për të”, tha Peskov në një konferencë për media.

Ai tha se për shumë vite, asnjë organ gjyqësor ndërkombëtar apo anëtar i bashkësisë ndërkombëtare “nuk janë shqetësuar për t’i kushtuar vëmendje shkatërrimit të infrastrukturës civile dhe vrasjeve të civilëve” të kryera nga ushtria ukrainase në rajonin e Donbasit.

Më herët, në një raportim të New York Times theksohej se gjykata në Hagë planifikon të hapë dy çështje të krimeve të luftës kundër Moskës që ndërlidhen me luftën Rusi-Ukrainë.

Në një pyetje, Peskov tha se nuk mund të flitet për një proces paqeje nëse Ukraina injoron realitetet e reja.

“Të gjitha kërkesat e Moskës janë të njohura. Situata de fakto dhe realitetet e reja janë gjithashtu të njohura. Pa marrë parasysh këto çështje, kalimi në një kurs paqësor është i pamundur”, tha ai.

Duke komentuar mundësinë e mbajtjes së bisedimeve të paqes në Vatikan, Peskov tha: “Ne vlerësojmë shumë përpjekjet e atyre vendeve që tashmë kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për ta sjellë zgjidhjen e këtij konflikti në një kurs paqësor, por, përsëri, kjo nuk është ende e mundur. Deri tani ky konflikt po zgjidhet me mjete ushtarake”.

Në lidhje me kolapsin e bankës amerikane Silicon Valley, Peskov tha se kriza nuk ndikon në sistemin bankar rus, pasi ai pothuajse u shkëput nga tregu financiar global për shkak të sanksioneve.

“Këtu, në një farë mase, jemi të siguruar nga ndikimi negativ i krizës që po shpaloset aktualisht jashtë shtetit”, tha ai.

Zëdhënësi gjithashtu shprehu shqetësim për planet për të furnizuar Australinë me nëndetëse bërthamore, duke thënë se dërgesat e armëve të tilla ngrenë shumë pyetje në lidhje me çështjet e mospërhapjes bërthamore dhe se ndaj kësaj “duhet të reagohet”.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko