Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, ka thënë se ekziston “kërcënim” për Moskën, duke i përshkruar Shtetet e Bashkuara si “pjesëmarrëse në konflikt”.
“Ne i bëjmë thirrje Uashingtonit që të ndalë veprimet provokative që mund të çojnë në pasojat më serioze”, ka thënë ambasadori rus.
Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë edhe 625 milionë dollarë si ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Armët e avancuara amerikane është thënë se kanë ndihmuar Ukrainën që të krijojë momentumin kundër forcave pushtuese ruse.
Trupat ushtarake ukrainase kanë bërë përparime të rëndësishme në verilindje dhe jug të shtetit, në javët e fundit.
Në kuadër të ndihmës së fundit amerikane janë përfshirë edhe sistemet raketore, HIMARS.
Në total, Uashingtoni ka ndarë gati 17 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Kievin, prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.
Pas përballjes me humbje të konsiderueshme në fushëbeteje, në javët e fundit, Rusia është zotuar se do ta mbrojë veten me të gjitha mjetet e mundshme – duke mos përjashtuar armët bërthamore.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./R.E.L