Rusia i ka paraqitur një kërkesë Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për regjistrimin e përshpejtuar të vaksinës së saj të parë kundër virusit të ri koronar të quajtur “Sputnik V”, njoftoi fondi rus RDIF.

Fondi RDIF, i cili është i përfshirë në zhvillimin e vaksinës, tha në një deklaratë se kishte paraqitur një kërkesë tek OBSH për regjistrim të shpejtë dhe përdorimin e vaksinës së urgjencës.

I pyetur nga AFP, OBSH u përgjigj se paraqitjet ishin sekrete.

Rusia është një nga vendet e para në botë që i kërkon OBSH të regjistrojë paraprakisht vaksinën e saj kundër COVID, thanë autoritetet ruse.

“Në një atmosferë pandemike, regjistrimi i përshpejtuar i vaksinave nën procedurën e OBSH-së do ta bëjë vaksinën ruse të disponueshme për të gjithë në një periudhë më të shkurtër kohore krahasuar me procedurat konvencionale,” shtoi deklarata.

OBSH thekson se “nëse një produkt i paraqitur për vlerësim përputhet me kriteret e listimit, ai do t’i bëjë rezultatet publike”.

Tani për tani, OBSH “nuk e ka kualifikuar ende vaksinën kundër COVID-19, as nuk e ka shtuar atë në listë për përdorim urgjent”.

Rusia njoftoi në fillim të gushtit se kishte zhvilluar dhe regjistruar vaksinën “e parë” kundër COVID-19, prodhuar nga Qendra e Kërkimit Gamaleya e Moskës me Ministrinë Ruse të Mbrojtjes.

Në Rusi, përpara fazës përfundimtare të një prove klinike, autoritetet lëshojnë një certifikatë regjistrimi.

Vaksina u emërua “Sputnik V”, sippas satelitit të parë të dërguar në hapësirë ​​gjatë epokës sovjetike.

Një pjesë e madhe e elitës ruse pretendon se ata tashmë janë vaksinuar dhe Presidenti Putin deklaroi se ndër to ishte dhe njëra nga vajzat e tij.

Qeveria shpreson të vaksinojë popullsinë në masë në muajt e ardhshëm.

Në fillim të këtij muaji, Putini njoftoi se Rusia kishte regjistruar vaksinën e saj të dytë kundër virusit të ri koronar.

Rusia ka përjetuar një epidemi të rëndë javët e fundit dhe renditet e katërta në botë për nga numri i rasteve të regjistruara, me një total prej 1,547,774 të infektuar dhe 26,589 të vdekur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re