Forcat ruse thanë se kanë bërë përfitime të vogla territoriale gjatë luftimeve intensive në lindje të Ukrainës, mes raportimeve se Moska ka dislokuar forca shtesë në rajonin Kursk, në kufi me Ukrainën, për të mbrojtur kufirin dhe për të garantuar siguri. Kievi ka hedhur poshtë pretendimet e bëra nga Denis Pushilin, administrator në pjesët që kontrollohen nga rusët në Donjeck. Ai pretendoi se forcat ruse kanë përparuar afër qytetit të Vuledarit, që është epiqendër e luftimeve në betejën për kontrollin e pjesës lindore të Ukrainës. “Ne nuk kemi humbur pozicionet tona”, tha Yevgen Yerin, zëdhënës i ushtrisë ukrainase, i ngarkuar për këtë pjesë të territorit.

 

Ukraina u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë që të përshpejtojnë dërgesat e armatimeve të rënda, që i janë premtuar gjatë javëve të fundit, teksa Kievi po tenton të mbajë territorin në lindje. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se situata në terren është “shumë e vështirë” pasi forcat ruse po bëjnë “përpjekje të vazhdueshme për të thyer mbrojtjen tonë”. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë pajtuar që t’i japin Ukrainës tanke Abrams dhe Leopard 2, respektivisht, përderisa Mbretëria e Bashkuar më herët gjatë janarit tha se do të dërgojë 14 tanke të llojit Challenger 2. Gjermania po ashtu do të lejojë shtetet tjera, sikurse Norvegjia dhe Polonia, që t’i dërgojnë Ukrainës tanket gjermane Leopard 2.

 

 

Polonia tha se do t’i japë Ukrainës edhe 60 tanke, përveç 14 tankeve Leopard 2, që ia kishte premtuar më herët. Ushtarët ukrainas aktualisht janë në Britani për t’u trajnuar për armatimin e avancuar, tha Ministria e Mbrojtjes së Britanisë më 29 janar, megjithëse dërgimi i armëve të reja pritet të marrë kohë disa muaj. “Rusia dëshiron që lufta të zvarritet dhe që forcat tona të lodhen”, tha Zelensky. Rusia – që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022 – ka më shumë tanke sesa Ukraina, por modelet që Moska ka janë shumë inferiore krahasuar me tanket perëndimore.

 

 

Si Rusia, ashtu edhe Ukraina, presin që të nisin ofensiva gjatë javëve në vijim, dhe tanket pritet të luajnë rol vital në këto beteja, kanë vlerësuar ekspertët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re