Skip to content

Rusia pretendon se ka goditur sistemin raketor S-300 në Ukrainë

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov tha se me raketat me precizitet të lartë “Kalibr” kanë goditur nga deti bashkë me personelin e saj sistemin raketor të mbrojtjes ajrore S-300 që Sllovakia i kishte dhënë Ukrainës.

Në një deklaratë, Konashenkov dha informacione lidhur me aktivitetet e ushtrisë ruse në luftën që vazhdon në Ukrainë.

Sipas tij, mbrëmë kundër objektivave në Ukrainë janë përdorur armë me precizitet të lartë. “Një batalion i sistemit raketor të mbrojtjes ajrore S-300 i fshehur në hangar dhe i cili ishte dorëzuar regjimit të Kievit nga një vend evropian në periferinë jugore të rajonit Dnipro, u shkatërrua nga deti me raketa me precizitet të lartë ‘Kalibr‘. U goditën katër lëshues S-300 dhe rreth 25 persona nga personeli i forcave të armatosura të Ukrainës”, tha Konashenkov.

Ai ka ndarë informacionin se gjatë natës me raketa të precizitetit të lartë kanë shkatërruar nga ajri bazën e armëve dhe riparimit të armëve të ushtrisë ukrainase, përfshirë edhe sistemet e mbrojtjes ajrore “Buk-M1” dhe “Osa-AKM” që ndodheshin në afërsi të vendbanimeve Velikaya Novoselovka. Konashenkov bëri të ditur se në rajonin Mıkolayiv dhe Jovtnevoye janë shkatërruar 2 depo armatimesh dhe një radar në rajonin Uspenovki që përdorej për drejtimin e sistemit S-300.

Zëdhënësi Konashenkov thekson se në afërsi të zonave Vozdivijenka dhe Ivanovka në rajonin e Donbasit kanë goditur me armë me precizitet të lartë 9 tanke, 5 obusë, 5 multiraketahedhëse ‘Grad’.

“Në afërsi të qytetit Izyum u goditën 2 avionë ‘Su-25’ të ushtrisë ukrainase”, tha Konashenkov duke shtuar se janë shkatërruar 78 elementë ushtarakë të ushtrisë së Ukrainës.

“Deri më sot janë rrëzuar 129 avionë dhe 99 helikopterë dhe janë shkatërruar 243 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore S-300, Buk-M1 dhe Osa AKM, 441 mjete ajrore pa pilot të ushtrisë së Ukrainës, 2.079 tanke dhe mjete të blinduara, 239 multi-raketahedhëse, 909 obusë dhe mortaja si dhe 2.003 mjete ushtarake të veçanta”, deklaroi Konashenkov.

Javën e kaluar kryeministri i Sllovakisë, Eduard Heger njoftoi se i kishin dhënë Ukrainës sistemin e mbrojtjes ajrore S-300.
Burimi: AA