Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse tha sot se forcat ruse shkatërruan bazën e fundit të madhe të naftës ukrainase në periferi të Kievit, si dhe një qendër trajnimi për mercenarët e huaj.

Baza e naftës në vendbanimin Kalinovka u godit nga raketa me precizitet të lartë “Caliber”, tha zëdhënësi i ministrisë Igor Konashenkov në një konferencë në Moskë.

“Natën e 24 marsit, raketat kryqëzuese me precizitet të lartë ‘Caliber’ goditën bazën e naftës në vendbanimin Kalinovka pranë Kievit. Më e madhja nga bazat e mbetura të naftës të Ukrainës, e cila furnizonte me karburant njësitë ushtarake në pjesën qendrore të vendit, u shkatërrua”, deklaroi Konashenkov.

Ai shtoi se “poligoni i stërvitjes për mercenarët e huaj” u godit me raketa balistike dhe kryqëzuese të lëshuara nga një sistem i lëvizshëm raketash balistike me rreze të shkurtër veprimi.

“Një grup i ‘gjuetarëve të natës’, helikopterët Ka-52 dhe Mi-26N, shkatërruan 24 njësi të pajisjeve ushtarake, duke përfshirë shtatë tanke, ndërsa Forcat Ajrore dhe Hapësinore goditën 51 objekte të infrastrukturës ushtarake ukrainase”, tha ai.

Ai shtoi se 51 objektet e goditura përfshinin “dy qendra komandimi, tre raketahedhës me shumë tyta, dy sisteme të mbrojtjes ajrore Buk-M1 dhe sistemin e radarëve të mbrojtjes ajrore S-300 në zonën Dnieper, si dhe tri armë artilerie D-30, dy depo raketash dhe artilerie, armë dhe municione, 26 zona të përqendrimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake”.

Sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan gjithashtu katër dronë ukrainas, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.

“Që nga fillimi i operacionit special janë shkatërruar gjithsej 261 dronë, 204 sisteme të mbrojtjes ajrore, 1.587 tanke dhe mjete të tjera luftarake të blinduara, 163 raketahedhës me shumë tyta, 636 artileri fushore dhe minahedhës, si dhe 1.397 automjete të njësive speciale ushtarake”, tha Konashenkov.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re