Rusia sot do të nisë një pilot projekt eksperimental për zbatimin e praktikave financiare islame në disa rajone ku dominon popullsia muslimane.

Eksperimenti do të zhvillohet në Dagestan, Çeçeni, Bashkiria dhe Tatarstan dhe do të zgjasë dy vjet. Pas kësaj, autoritetet do të vendosin për përshtatshmërinë e modelit islam për Rusinë.

Eksperti i lartë në Shoqatën Ruse të Ekspertëve në Financat Islame, Alexandr Kazakov, në një prononcim për (AA) tha se është “koha t’i harrojmë” tregjet financiare perëndimore dhe të fokusohemi në bashkëpunimin me vendet arabe dhe aziatike.

“Tashmë është e qartë se të gjitha qendrat financiare perëndimore janë të mbyllura për kapitalin rus në nivelin e korporatave, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të zhvillojmë alternativa të përballueshme. Është koha të harrojmë Londrën dhe të përqendrohemi tek Pekini, New Delhi, Singapori, Kuala Lumpuri dhe vendet e Gjirit”, tha eksperti.

Kazakov tha se Duma ruse miratoi në seancën e parë projekt-ligjin për financimin e partnerëve, ku termi “financim partner” sugjeron produkte financiare që bazohen në parimet islame.

“Pasi të miratohet, ekzistenca e instrumenteve financiare alternative do të njihet në nivelin legjislativ në Rusi. Ky është një hap i rëndësishëm politik si brenda vendit ashtu edhe në raport me partnerët tanë realë të jashtëm”, tha ai.

Sipas Kazakov-it, bankat islame janë zhvilluar në mënyrë aktive vitet e fundit, ku Lindja e Mesme është qendra më e madhe për bankimin islam ndërsa Malajzia për tregun islam të sigurisë.

I pyetur nëse modeli financiar islam mund t’i kundërvihet sistemit financiar perëndimor, Kazakov tha: “Do të provojmë dhe do të shohim. Sistemi financiar perëndimor tani është në një krizë serioze. Gjithçka do të varet nga mënyra se si do t’i mbijetojë kësaj krize dhe nëse do t’i mbijetojë asaj”.

Në Rusi, ka disa organizata financiare islame me pakicë që funksionojnë me sukses, shtoi ai, ndërkaq sistemi financiar islam ka perspektiva të mira për shkak të “kërkesës shumë voluminoze” nga më shumë se 20 milionë muslimanë rusë, shtoi ai.

Përkatësia fetare nuk ka rëndësi për përdorimin e sistemit financiar islam

Duke folur për pengesat e financave islame, Kazakov tha se ndryshimi kryesor është se financat islame ndalojnë kamatën.

Ai rikujtoi se sistemi financiar tradicional si në botën e krishterë ashtu edhe në atë muslimane e ndalon kamatën, megjithatë, kreditë me interes përfundimisht gjetën shtigjet e tyre drejt biznesit evropian.

“Banka islame ofron partneritetin, i cili përfshin pjesëmarrje si në fitime ashtu edhe në humbje, ndërsa kreditë e bazuara në interes duhet të shlyhen pavarësisht nga rezultati i aktiviteteve të huamarrësit”, tha ai.

Financa islame përfshin dy modele bazë, partneritet ose “Musharake” dhe pagesë me këste ose “Murabaha”.

“Le të tregojmë se si funksionojnë të dy sistemet duke marrë si shembull një kredi hipotekare konvencionale. Brenda partneritetit ‘Musharakah’, struktura e bankës së bashku me klientin marrin pasuri të paluajtshme në pronësi të përbashkët. Klienti zhvendoset në objektin e blerë dhe i paguan qiranë bankës në proporcion me aksionet dhe klienti gradualisht blen aksionet e bankës”, tha Kazakov.

“Në rastin e dytë ‘Murabaha’ banka, sipas udhëzimeve të klientit, blen pasurinë e paluajtshme me çmimin aktual dhe ia shet atë klientit, i cili paguan me këste me një diferencë të caktuar për çmimin aktual. Teknikisht, marzhi mund të llogaritet si përqindje e çmimit të blerjes, por nga pikëpamja e Sheriatit, një marzh i tillë tregtar është i lejueshëm dhe nuk cilësohet si kamatë”, theksoi ai.

Një veçori tjetër e financave islame është se nuk ka karta të kreditit me interes, shtoi eksperti.

Ai theksoi se bankat islame në të gjitha rastet duhet të sigurojnë që çdo operacion financiar është i lidhur ngushtë me investimet ose tregtinë në përputhje me sheriatin dhe nuk fsheh huadhënien me kamatë.

“Parimi i përgjithshëm i financave islame është lidhja e pandashme e financimit me ekonominë reale dhe pamundësia e përdorimit të parasë si objekt shitjeje”, tha ai.

Kazakov shtoi se përkatësia fetare nuk imponon asnjë kufizim për përdorimin e sistemit financiar islam. Sipas tij, personat juridikë, të cilët gjithashtu përdorin shërbimet bankare, nuk mund të praktikojnë fenë në parim.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re