Rusia i ka vlerësuar deklaratat e fundit të Finlandës në favor të anëtarësimit në NATO si një “ndryshim rrënjësor” në rrjedhën e politikës së jashtme.

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë publikoi një deklaratë në të cilën thuhet se politika dhjetëvjeçare e Finlandës për mos-angazhim ushtarak kishte shërbyer si bazë për stabilitetin në Evropën Veriore, duke ofruar gjithashtu një nivel të besueshëm sigurie për shtetin finlandez.

Ky qëndrim ishte gjithashtu një bazë solide për ndërtimin e bashkëpunimit dhe partneritetit reciprokisht të dobishëm me Rusinë, thuhet në njoftim, duke u theksuar se roli i faktorit ushtarak në marrëdhëniet ishte reduktuar në zero.

Në deklaratë theksohet se nëse Finlanda i bashkohet NATO-s, ajo do të shkelte detyrimin e saj sipas Marrëveshjes së Parisit të vitit 1947, e cila ndalon nënshkruesit të hyjnë në aleanca ose të marrin pjesë në koalicionet e krijuara kundër njërit prej tyre.

Marrëveshja e Parisit e vitit 1947 u nënshkrua midis Finlandës dhe aleatëve të Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë Rusinë, SHBA-në, Britaninë dhe Francën.

Ministria ruse tha gjithashtu se pranimi i Finlandës në NATO do të binte ndesh me marrëveshjen e Helsinkit të vitit 1992 me Moskën, duke përcaktuar se palët do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të tjetrit dhe gjithashtu nuk do të përdorin ose lejojnë përdorimin e territorin të tyre për agresion të armatosur kundër tjetrit.

“As garancitë e Rusisë për mungesën e ndonjë qëllimi armiqësor ndaj Finlandës, as historia e gjatë e bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë dhe reciprokisht të dobishme midis vendeve tona nuk e kanë bindur Helsinkin për avantazhet e mbajtjes së një kursi të mos-angazhimit ushtarak”, thuhet në deklaratë.

“Qëllimi i NATO-s, vendet anëtare të së cilës e bindën në mënyrë agresive palën finlandeze se nuk kishte alternativë përpos anëtarësimin në aleancë, është i qartë: Të vazhdojë zgjerimin deri në kufijtë e Rusisë, të krijojë një krah tjetër për një kërcënim ushtarak ndaj vendit tonë”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

“Por historia do të gjykojë përse Finlanda duhet ta shndërrojë territorin e saj në një kufi të konfrontimit ushtarak me Federatën Ruse, ndërkohë që humbet pavarësinë në marrjen e vendimeve të veta”, shtohet në deklaratë.

Ministria nënvizoi se i takon qeverisë dhe popullit të Finlandës të zgjedhin metodat e vendit për të garantuar sigurinë e tij kombëtare, por shtoi se ata do të duhet të përballen me përgjegjësinë dhe pasojat e anëtarësimit në NATO.

Gjithashtu paralajmërohet se pranimi i Finlandës në NATO do të ndikojë seriozisht në marrëdhëniet ruso-finlandeze dhe stabilitetin në Evropën Veriore, ndërsa Rusia do të detyrohet të ndërmarrë hapa kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së saj kombëtare që dalin në këtë drejtim.
Burimi: AA