Forcat pushtuese ruse po vazhdojnë sulmet përgjatë vijës së frontit në lindje të Ukrainës, tha ushtria e Kievit më 7 shkurt, teksa zyrtarët ukrainas kanë vazhduar të paralajmërojnë se Moska po përgatitet për një ofensivë të re në këtë rajon.

 

Gjatë 24 orëve të fundit, ushtria ruse ka kryer gjashtë sulme me raketa dhe 24 sulme ajrore, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase. Shtabi po ashtu tha se ka pasur 75 sulme me artileri, përfshirë një ndaj një objektivi civil në rajonet lindore dhe juglindore të Harkivit, Donjeckut, Dnipropetrovskit dhe Hersonit. Ushtria shtoi se ka pasur një numër të paspecifikuar të viktimave në mesin e civilëve.

 

Më vonë, Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake në Donjeck, raportoi se një person është vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur si rezultat i granatimeve gjatë natës në rajonin e Donjeckut.

 

Gjatë 24 orëve të fundit, 1.030 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë, pretendoi ushtria ukrainase më 7 shkurt, edhe pse shifra të tilla është e pamundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

 

Luftimet e reja vijnë pasi guvernatori i Luhanskut, Serhiy Hayday, tha se Rusia po dislokon përforcime në lindje të Ukrainës para një ofensive të re të mundshme.

 

“Po shohim shumë e më shumë rezervistë rusë që po dislokohen në drejtim tonin, ne po shohim se po sillen më shumë pajisje”, tha Hayday për televizionin ukrainas më 6 shkurt.

 

“Ata po sjellin municion që përdoret ndryshe nga më herët – tani nuk ka granatime të vazhdueshme. Ata, ngadalë kanë filluar të ruajnë municionin, të bëhen gati për një ofensivë të shkallës së gjerë”, tha Hayday.

 

Inteligjenca britanike, në përditësimin ditor për luftën në Ukrainë, tha se ushtria ruse ka të ngjarë që nga fillimi i janarit po përgatitet që të kryejë në ofensivë të madhe, me qëllim që të marrë kontrollin e pjesëve të Donjeckut, që kontrollohen nga Ukraina.

 

Megjithatë, forcat ruse kanë bërë përfitime të pakta në terren, pasi ata “kanë mungesë municionesh dhe njësi manovruese, që duhen për një ofensivë të suksesshme”, tha Ministria e Mbrojtjes së Britanisë.

 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ukrainase po luftojnë përpjekjet e trupave ruse që kanë rrethuar qytetin e Bahmutit dhe po tentojnë të thyejnë mbrojtjen e qytetit.

 

Për muaj të tërë, Rusia ka përqendruar përpjekjet e saj për të marrë Bahmutin, që gjendet në lindje të Ukrainës. Sipas mediave, në këtë zonë janë përfshirë edhe mercenarët e grupit rus Wagner (Vagner)./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re