Sulmet ajrore ruse në zonat e porteve ukrainase vazhduan edhe të enjten, pas paralajmërimit të Moskës se anijet e destinuara për në portet e Detit të Zi të Ukrainës mund të konsiderohen si objektiva ushtarake.

 

Mes shqetësimeve në rritje për tërheqjen e Rusisë nga marrëveshja që mbronte dërgesat ndërkombëtare të grurit ukrainas, autoritetet në rajonet e Mikolaiv dhe Odesa raportuan për të paktën 20 persona të plagosur nga sulmet ajrore.

 

Përballë largimit të Rusisë nga marrëveshja njëvjeçare, e cila përbën një rrezik të mundshëm për furnizimet globale të ushqimit, Ukraina njoftoi të mërkurën se do të krijojë një rrugë të përkohshme transporti përmes Rumanisë, një vend fqinj i Detit të Zi.

 

“Qëllimi i tij [planit] është të lehtësojë zhbllokimin e transportit ndërkombëtar në pjesën veriperëndimore të Detit të Zi”, tha Vasyl Shkurakov, ministri në detyrë i Ukrainës për komunitetet, territoret dhe zhvillimin e infrastrukturës, në një letër drejtuar Organizatës Ndërkombëtare të Transportit të OKB-së.

 

Ukraina dhe Rusia janë ndër eksportuesit kryesorë të drithërave në mbarë botën.

 

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se edhe anijet e shteteve tjera që udhëtojnë për në portet e Ukrainës do të konsiderohen si aleatë të Ukrainës në konflikt.

 

Zelensky dënon “terrorin e Rusisë”

 

Pas nisjes së anijes së fundit nga Ukraina të dielën, nën mbrojtjen e marrëveshjes së drithërave, Rusia nisi sulmet në rajonin e Odesa gjatë natës së të hënës dhe të martës. Tre portet në këtë rajon kishin qenë të vetmet që operonin në Ukrainë me këtë marrëveshje.

 

Të martën mbrëma, sulmet shkaktuan dëme të konsiderueshme, siç raportuan zyrtarët ukrainas.

 

Terminalet e drithërave, një objekt industrial, magazina, qendra tregtare, ndërtesa banimi dhe administrative, si dhe makina, ishin ndër strukturat e prekura nga sulmi, thanë zyrtarët ukrainas.

 

Komanda ushtarake jugore e Ukrainës tha se Rusia kishte përdorur raketa supersonike, duke goditur infrastrukturën portuale të Odesës.

 

“Në portet që u sulmuan kishte rreth një milion ton ushqim të ruajtur”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të natës të mërkurën. “Është pikërisht ajo sasi që duhet të ishte dorëzuar tashmë në vendet konsumatore në Afrikë dhe Azi”, tha ai.

 

“Në terminalin e dëmtuar më së shumti nga terrori rus sonte, ishin të depozituara 60 mijë ton produkte bujqësore, të destinuara për dërgesë në Kinë”, tha Zelensky.

 

Mëngjesin e së enjtes, të paktën 18 persona u plagosën pas sulmeve ajrore në qytetin-port të Mikolaivit, tha guvernatori rajonal, ndërsa në Odesa një zyrtar tha se dy persona janë shtrirë në spital nga plagët e marra nga sulmi.

 

Zyrtarët amerikanë thanë se kanë informacione që tregojnë se Rusia vendosi mina detare shtesë në afërsi të porteve të Ukrainës, duke e konsideruar si “një përpjekje e koordinuar për të justifikuar çdo sulm kundër anijeve civile në Detin e Zi dhe për të fajësuar Ukrainën për këto sulme”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adam Hodge.

 

Rusia ende nuk i ka komentuar pretendimet e SHBA-së./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re