Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov ka deklaruar të premten gjatë një deklarate për mediet se Rusisë i ka mbaruar durimi me perëndimin lidhur me situatën në Ukrainë.

Lavrov u shpreh se perëndimi ka hedhur në kosh kërkesat e tyre.

Lavrov: Gjërat janë grumbulluar që prej viteve 90’, premtimet e bëra për mos zgjerimin e NATO-s, për mos zhvendosjen ushtarake drejt lindjes, thjesht u hodhën në kosh nga miqtë tanë perëndimorë në mënyrën më flagrante. 

Lavrov u ndal edhe te bisedimet e kësaj jave me NATO-n dhe OSBE-në të cilat pati rezultat, kryediplomati rus fajësoi hapur SHBA-në.

Lavrov: Të gjithë e kuptojnë se mundësia e arritjes së një marrëveshjeje varet nga SHBA-ja, pavarësisht se çfarë na thuhet për nevojën për t’u konsultuar me aleatët e tyre, duke përfshirë OSBE-në në proces. Të gjitha këto janë justifikime dhe përpjekje për ta zvarritur procesin.

Lavrov i quajti kontradiktore thirrjet e perëndimit për të zhvendosur trupat nga kufiri ukrainas, ndërkohë që edhe ata kanë dislokuar trupat e tyre në kufirin rus.

Lavrov: Ata kërkojnë nga ne, që të zhvendosim trupat nga territori ynë, ndërkohë amerikanët, kanadezët, anglezët kanë vendosur kampet e tyre pranë kufirit rus. Në shumë vende të Evropës po krijohen baza të reja, anglezët po ngrenë një në Ukrainë. Këtë nuk mund ta pranojmë kategorikisht, kjo është një qasje e papranueshme.

Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës në 2014 dhe që prej asaj kohe përleshjet mes separatistëve të mbështetur nga Moska dhe ukrainasve kanë vrarë mbi 13 mijë njerëz./Ora News/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re