Kanë filluar të dalin në dritë dokumente që konfirmojnë të shkuarën e errët të disa zyrtarëve tanë të lartë.

I tillë është edhe rasti i Rustem Gjatës, ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Shqiptarja.com ka publikuar këtë dokument të Kuvendit  të Shqipërisë, i cili është deklasifikuar pas 25 vitesh që mbahej sekret.

Është procesverbali i seancës plenare të 14 marsit 1998, me objekt shkarkimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Rustem Gjata, babai i Çlirim Gjatës, ish kandidat për deputet i Partisë Demokratike.

Në hyrje të procesverbalit të seancës me dyer të mbyllura, mbajtur sekret për 25 vite, thuhet se Rustem Gjata, i emëruar nga PD-ja e Sali Berishës anëtar i Gjykatës Kushtetuese, kishte qenë bashkëpunëtor vullnetar i ish Sigurimit të Shtetit, fakt që provohej nga dy relacione të shkruara dhe të firmosura nga Gjata, ku raportonte kundër shokëve të tij kosovarë, shumica njerëz të shkencës dhe kulturës.

Jo vetëm kaq. Por, në procesverbalin e publikuar nga Shqiptarja.com thuhet se në arkivin e SHIK-ut, gjendej edhe një dosje që e komprometonte Rustem Gjatën si agjent i dyshuar i UDB-së jugosllave, dosje e cila është hapur në 23 tetor 1958. Dokumentacioni për Rustem Gjatën është gjetur nga Komisioni i Verifikimit të Figurave, kryesuar në atë kohë nga Nazif Bezhani. Pas referimit të dokumenteve tepër sekrete në Kuvend, organet e Kuvendit janë vënë në lëvizje për të shkarkuar Gjatën, pasi po ushtronte detyrën në kundërshtim me ligjin. Në këtë seancë, pas diskutimeve, Rustem Gjata është shkarkuar si anëtar dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese me 80 vota pro dhe asnjë kundra.

Rustem Gjata është thirrur në seancë për të mbajtur qëndrimin e tij, por nuk është paraqitur.

Në seancë është thirrur Nazif Bezhani, i cili u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Mes të tjerave, Bezhani ka pohuar se “… në ato materiale që kam parë unë, tregojnë se z. Gjata nuk ka qenë në marrëdhënie juridiko-institucionale, nuk ka pasur marrëdhënie kontraktuale me Sigurimin, por ka dashur të japë llogari për të gjithë kosovarët që vinin në Shqipëri. Prandaj dikujt që tha këtu se Millosheviçi dënon andej, ne këtej, do t’i thosha që i ka dënuar ai vetë kosovarët, jo neve, Kështu është. Domethënë ai s’ka lënë kosovar që ka ardhur në Shqipëri pa raportuar…Unë mendoj që këtu kemi të bëjmë me probleme tepër serioze, kështu që një njeri i tillë nuk mund të drejtojë një nga pushtetet dhe aq më tepër të jetë në krye të piramidës së drejtësisë shqiptare…”.

Sali Berisha e kandidoi fillimisht Rustem Gjatën si deputet i Partisë Demokratike, më pas anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe më pas kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Promovimi i një figure të tillë në poste kaq të larta bie ndesh me retorikën publike të Berishës, se ishte i ndarë, madje do të luftonte xhelatët e komunizmit.

Edhe sot pas 30 vjetësh, e vërteta është se Berisha nuk është distancuar nga Rustem Gjata, por përkundrazi, ka vijuar edhe të mbështesë të birin, Çlirimin, të bëjë karrierë në Partinë Demokratike./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re