Ish-ylli i Manchester Unitedit, Ryan Giggs do të paraqitet për të dytën herë në gjykatë nën akuzën për dhunë familjare.
Sipas vendimit të një gjykatësi të mërkurën, Giggs duhet të përballet me një rigjykim, një javë pasi ylli i futbollit u lirua pasi juria nuk arriti të merrte vendim mbi akuzat se kishte sulmuar dhe përdorur sjellje kërcënuese ndaj ish të dashurës së tij.

Pas miratimit të kërkesës nga Prokuroria për një gjykim të dytë, gjyqtarja Hilary Manley caktoi datën 31 korrik 2023, për seancë gjyqësore që llogaritet të zgjasë tre ose katër javë. Giggs do të lirohet me kusht.

Prokurorët thonë se Giggs sulmoi Kate Greville, duke i shkaktuar lëndime trupore në shtëpinë e tij në Worsley, Greater Manchester, në nëntor 2020. Ai u akuzua gjithashtu për sulm ndaj motrës më të vogël të Greville gjatë të njëjtit incident, si dhe për përdorimin e sjelljes detyruese dhe kërcënuese ndaj ish të dashurës së tij midis gushtit 2017 dhe nëntorit 2020.

Giggs mohoi të gjitha akuzat dhe juria nuk mundi të merrte një vendim pas diskutimeve që zgjatën më shumë se 20 orë.

Në karrierën e tij 23-vjeçare si lojtar në Manchester United, Giggs fitoi 13 tituj të Premier Ligës, dy Liga të Kampionëve dhe pati 963 paraqitje. Ai konsiderohet gjerësisht si një nga lojtarët më të mëdhenj të futbollit britanik.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re