BERAT- Prokuroria e Beratit ka nisur procedimin penal ndaj administratores së një Qendre Sociale në këtë qytet, pasi akuzohet për korrupsion pasiv. Lajmi behet i ditur për ‘BalkanWeb’ nga burime konfidenciale ne Prokurorine e Beratit, te cilët konfirmojnë se 50-vjeçarja Tatjana Toska akuzohet se ka kryer korrupsion, duke përfituar para nëpërmjet shpërdorimit të postit.

Hetimet e Prokurorisë nisën menjëherë pas daljes publike të ngjarjes në një nga emisionet investigative si dhe pas referimit të ngjarjes për hetim në këtë institucion nga Sektori i Hetimit dhe Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat disa ditë më parë. Burimet zyrtare të policisë bënë me dije për gazetaren Eneda Petova se, nga ana e tyre janë kryer të gjitha veprimet proceduriale nga të cilat ka rezultuar se, Toska duke ushtruar detyrën e Administratores së kësaj qendre sociale në Berat, në periudhën Janar-Shkurt të vitit 2018, dyshohet se ka përvetësuar shumën prej 200.000 (dyqind mijë lekësh).

Kjo vetëm për të punësuar pranë kësaj shoqate shtetasin Agron. M, 49-vjeç, banues në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat. Gjithashtu dyshohet se ajo ka përvetësuar edhe shumën prej 300.000 (treqind mijë lekësh), duke i premtuar një vend pune për bashkëshorten, një shtetasi tjetër, G.S., banues në lagjen ‘Donika Kastrioti’ në Berat. Burimet policore konfirmojnë se të gjitha këto materiale i kanë kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat në ngarkim të shtetases Tatjana Toska, për veprat penale “Korrupsioni pasiv në sektorin privat” dhe “Mashtrimi”.
(ed.me/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re