Skip to content

Sa janë gati të sakrifikojnë arabët për pushtet në Izrael?

2026 10 27T211952Z 857399689 RC2WBOAHJ34J RTRMADP 3 ISRAEL ELECTION 1793167059

Negociatat për formimin e qeverisë së re izraelite po nxjerrin në pah një paradoks politik: partitë arabe, të cilat kanë fituar një peshë të konsiderueshme parlamentare, mund të bëhen vendimtare për largimin e Benjamin Netanyahut, por çmimi që po diskutojnë të paguajnë për të hyrë në qeverisje ngre pikëpyetje të mëdha mbi përfaqësimin e interesave palestineze.

Në qendër të zhvillimeve është Mansour Abbas, kreu i partisë arabe Ra’am, e cila fitoi tetë mandate në zgjedhjet e 27 tetorit.

Sipas një raportimi të Ynet, të publikuar më 10 nëntor dhe të përcjellë edhe nga agjencia italiane ANSA, Abbas është i gatshëm të pranojë një nga kërkesat kryesore të Gadi Eisenkotit: njohjen e Hamasit si organizatë terroriste.

Në këmbim, ai kërkon një partneritet të mirëfilltë politik me kampin e ndryshimit dhe pjesëmarrje në koalicionin e ardhshëm.

Lajmi u konfirmua si raportim edhe nga The Times of Israel, i cili theksoi se Abbas nuk e pranoi publikisht këtë ndryshim qëndrimi. Kreu i demokratëve, Yair Golan, ndërkohë, la të kuptohej se njohja e Hamasit nuk do të përbënte pengesë për negociatat.

Ky zhvillim është veçanërisht domethënës nëse krahasohet me qëndrimin e Abbas vetëm pesë ditë më parë. Më 5 nëntor, gjatë konsultimeve me presidentin Isaac Herzog, ai kishte refuzuar ta cilësonte Hamasin organizatë terroriste, duke argumentuar se dëshironte të ruante rolin e një ure komunikimi me palestinezët.

Madje, kishte paralajmëruar se një deklaratë e tillë mund të rrezikonte sigurinë e tij dhe të familjes. Ai kishte mbështetur çarmatimin e Hamasit dhe zgjidhjen me dy shtete, por kishte kundërshtuar atë që e quajti një test besnikërie politik.

Kërkesa e Eisenkot nuk është një kusht dytësor. Ai kërkon që partnerët e mundshëm të pranojnë jo vetëm cilësimin e Hamasit si organizatë terroriste, por edhe çarmatosjen dhe eliminimin e kapaciteteve të tij ushtarake e qeverisëse.

Për një parti arabe që pretendon të përfaqësojë një pjesë të rëndësishme të qytetarëve palestinezë të Izraelit, pranimi i këtij formulimi ka një peshë shumë më të madhe se një lëshim i zakonshëm në negociatat për pushtetin.

Sipas Reuters, zgjedhjet e 27 tetorit prodhuan një parlament pa shumicë të qartë. Blloku i Netanyahut ka 53 mandate, aleanca e Eisenkotit 48, ndërsa partitë arabe gjithsej 19. Për krijimin e një shumice nevojiten 61 deputetë.

Kjo i jep përfaqësimit arab një peshë vendimtare, por nuk do të thotë se të gjitha partitë kanë të njëjtin qëndrim për pjesëmarrjen në qeveri.

Ra’am kërkon hyrjen në koalicion, ndërsa Lista e Përbashkët është shprehur e gatshme të mbështesë zëvendësimin e Netanyahut pa qenë domosdoshmërisht pjesë e qeverisë.

Këtu shfaqet edhe paradoksi më i madh. Për herë të parë pas një kohe të gjatë, partitë arabe kanë mundësinë të ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e qeverisë izraelite.

Por a do të përdoret kjo fuqi për të imponuar një agjendë më të gjerë politike, apo do të kufizohet në përfitimin e posteve, investimeve dhe koncesioneve për komunitetet arabe brenda Izraelit?

Është krejtësisht legjitime që qytetarët arabë të Izraelit të kërkojnë siguri, investime, shërbime publike, luftë kundër diskriminimit dhe përfaqësim në institucionet shtetërore.

Po kështu, kundërshtimi i dhunës ndaj civilëve nuk duhet ngatërruar me braktisjen e të drejtave kombëtare palestineze.

Por një gjë është të refuzosh dhunën dhe të mbështesësh çarmatosjen e organizatave të armatosura, ndërsa tjetër të pranosh që distancimi nga Hamasi të kthehet në një kusht politik për legjitimitetin e përfaqësimit arab.

Dyshimet bëhen edhe më të forta kur shihet se çfarë mungon në këtë pazar politik, një angazhim i qartë dhe detyrues për krijimin e një shteti të pavarur palestinez.

Ndërsa Eisenkot kërkon deklarata të qarta për Hamasin, nuk shfaqet e njëjta vendosmëri për të pranuar kërkesat kombëtare palestineze.

Kështu, partitë arabe rrezikojnë të negociojnë mbi atë që duhet të dënojnë, pa fituar garanci për atë që duhet të mbrojnë.

Edhe Al Jazeera, në raportimin e saj për hapjen e parlamentit të ri më 10 nëntor, vuri në dukje se Eisenkoti përballet me një ekuacion të vështirë politik, ku mbështetja arabe është e rëndësishme, por bashkëpunimi me partitë arabe mbetet problematik për disa prej partnerëve të tij të mundshëm.

Ndërkohë, The Jerusalem Post raportoi se Eisenkot anuloi takimin e planifikuar me Likudin pas fjalimit përçarës të Netanyahut, ndërsa negociatat me partitë arabe mbetën pjesë e strategjisë së tij për formimin e qeverisë.

Por problemi më i madh, shkon përtej politikës së brendshme izraelite. Organizata për Çlirimin e Palestinës (OÇP), e cila historikisht ka qenë boshti i përfaqësimit kombëtar palestinez, prej vitesh vuan nga paraliza politike, mungesa e rinovimit të lidershipit dhe paaftësia për të prodhuar një strategji bindëse.

Në këtë boshllëk, partitë arabe të Izraelit rrezikojnë të ndjekin gjithnjë e më shumë një pragmatizëm elektoral, duke e shkëputur përfaqësimin e interesave të tyre brenda Izraelit nga kauza më e gjerë palestineze.

Kjo nuk do të thotë se partitë arabe duhet të qëndrojnë jashtë institucioneve izraelite apo të refuzojnë çdo kompromis. Përkundrazi, pjesëmarrja e tyre në qeverisje mund të jetë një mundësi historike.

Por integrimi politik nuk duhet të shndërrohet në një proces asimilimi të kërkesave kombëtare, ku hyrja në pushtet kushtëzohet me heqjen dorë nga solidariteti me çështjen palestineze.

Dhe në fund, pyetja nuk është nëse Mansour Abbasi do të arrijë të sigurojë disa poste ministrore apo koncesione për komunitetin e tij.

Pyetja është se çfarë do të mbetet nga pesha politike e 19 mandateve arabe nëse ato përdoren për të legjitimuar një qeveri pa asnjë angazhim konkret për shtetin palestinez.

Në kushtet kur kauza për pavarësi ka humbur një pjesë të madhe të mbështetjes dhe përfaqësimit efektiv, një fitore parlamentare mund të rezultojë një humbje strategjike për palestinezët.