Ish-kreu i KQZ-së Kristaq Kume, në një intervistë për Fax News, ka folur për kthimin pas të listave të kandidatëve nga ana e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Kume tha se numri i kandidatëve në listat e çdo qarku duhet të jetë 2 më shumë se numri i mandateve, dhe të jetë i plotëpjestueshëm me 3. Në rast se numri nuk është i plotëpjestueshëm me 3, atëherë forcat politike do të duhet të shtojnë edhe më shumë se 2 emra kandidatësh.

Kume tha se në bazë të llogaritjeve të tij në të gjithë vendin duhet të jenë në listat e partive 177 kandidatë dhe jo 153 siç ka deklaruar më herët Ilirjan Celibashi.

“Në dijeninë time dokumentacioni është i paplotë, problemi i dytë është ai i numrit të kandidatëve që subjektet zgjedhore kanë vendosur në listë. Kthimi i listave do të thotë që partitë politike, duhet ta shohin nga e para të gjithë këtë proces, që do të thotë mund të heqin, mund të vënë dhe të rendisin nga e para kandidatët.

Unë e lexoj ndryshe nga ajo që e ka lexuar komisioneri, minimumi i kandidatëve që një subjekt zgjedhor duhet të paraqesë është 177. Çdo parti duhet të paraqesë një listë me numër jo më të vogël nga sa i takon qarkut, plus 2 emra më shumë, dhe numri duhet të jetë i plotëplotësueshëm me 3.

Në Tiranë minimumi duhet të ketë 38, që të plotësohet me 3, duhet të shtohet edhe 1. Ligji i jep të drejtë partisë politike që të paraqesë 39 kandidatë, ose dhe më shumë, dhe më pas të plotëpjestueshëm me 3. Një arsyetim i tillë nuk shkon, mund të krijojë probleme nesër për mazhorancën qeverisëse.

Në Kukës sipas KQZ, duhet të garojnë me 3 kandidatë, çfarë ndodh nëse ata nuk janë më? Nuk është lexuar ashtu siç është e shkruajtur në Kodin Zgjedhor, me numër minimal, sa është numri i mandateve, shtuar me 2 , plotëpjestuar me 3″, u shpreh Kume.

Sa i takon ligjit të dekriminalizimit, Kume tha se KQZ duhet të verifikojë disa persona me prioritet dhe nuk ka afat të kufizuar për ta kryer procesin.

“Ligji për dekriminalizimin detyron kandidatin që të vetëdeklarohet, dhe ngarkon KQZ që të verifikojnë deklarimet e tyre. Koha që duhet për këtë verifikim nuk është objekt kohor, verifikimi mund të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve, siç edhe ka ndodhur në raste të caktuara. Një gjë e tillë është e mundshme, duke vendosur prioritete për personat që do të verifikohen”, u shpreh Kume.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re