Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku pritet të votohet projektligji për Amnistinë Penale, është shprehur se “sa më i korruptuar shteti, aq më shumë ligje prodhon ai”.

I ndalur me tej tek personat e përfshirë në dosjen e pajisjeve të sterilizimit në shëndetësi, deputeti demokrat ka ironizuar, duke thënë se “sterilizim” do të thotë të pastrosh xhepat e shqiptarëve nga çdo qindarkë.

“Leksikologu, Ilir Beqja, morfologu Ilir Rrapaj, gramaticieni Ilir Rrjepsi, dhe të tjerë  po i shpjegojnë njerëzisë se “sterilizim” do të thotë të pastrosh xhepat e shqiptarëve nga çdo qindarkë”, tha ai.

“Ata kanë ngrënë kaq shumë dardha, kumbulla e fiq, sa po ju shkon barku mbi tryezat e shqiptarëve, por nuk shohim askund as pergjeqësi politike e as morale”, tha ai, ndërsa shtoi se sistemi politik në vend është i ngritur për të patur nëpermjet korrupsionit dhe të korruptuarve gjithcka nën kontroll edhe voten e cila blihet po me paranë e vjedhur publike.

“Sot korrupsioni është armiku kryesor i Shqipërisë. Koncesionet dhe PPP-të ngërdheshja e tij. Ai rritet në oborrin e Qeverisë. Çdo mizori e ka ditën e vet të gjykimit na mëson Sami Frashëri. Shënojeni!”, përfundoi Gjekmarkaj.

Deklarata e plotë:

Sot në vendin tonë realiteti është më kokfortë se shekujt. Ai ka ndertuar gjuhen  e vet dhe semantiken e re. Ndonëse në fjalorin e shqipes fjalës “konçesion” si term sinonimor i vihet fjala “lëshim” publiku i yshtur nga puna shkencore e Qeverisë i ka vënë sinonimin korrupsion.

Në kullen e Babelit ku u lidhen gjuhet po bëhet ndryshimi i duhur. Leksikologu, Ilir Beqja, morfologu Ilir Rrapaj, gramaticieni Ilir Rrjepsi,  dhe të tjerë  po i shpjegojnë njerzisë se “sterilizim” do të thotë të pastrosh xhepat e shqipëtarve nga çdo qindarkë.

Jo vetem duke i zier portofolet  në temperaturën e lartë të vesit , aty ku vdes çdo pasion kolektiv për mirqënie dhe besim te publikja,  por duke i fyer ata në inteligjencë, duke i sterilizur ata në të drejtat dhe aspiratat e tyre më elementare, pse jo duke i perqeshur në besimin e tulatur tek drejtësia.

Bëhet fjalë për 200 milion euro të cilat ju kanë ndryshuar jetën per mirë zhvatësve , për keq, të zhvaturve-qytetarve.

Kjo ndodh bash kur  defiçiti i skemes  së  pensioneve thellohet, në qytet rritet me 5% dhe në fshat me 12 %. Fondi per konçesionet rezulton 3,5 herë më i lartë se ai per pensionet dhe rreth tre herë më i lartë se ai për 64 mijë familje që jetojnë me ndimë ekonomike.

E vjetra shëmbet, kohet ndryshojnë , një jetë e re lulëzon gërmadhash. Shkrimtari i famshem ja ka keputur kot.

E vjetra nuk shëmbet, vjeterohet edhe më, mediton Spiropali! Koha nuk ndryshon përshtaten njerëzit hamendeson Taulanti  teksa germadha morale bëhet stil jete konstaton Majko. Punëtoret e kësaj germadhe janë ketu. Imagjinojeni vetën secili me një lopatë në dorë , kazem a qyski duke e gërmuar.

Diçka është kalbur në Danimarkë thoshte Hamleti, gjithçka është kalbur në qeverinë Rilindjes ma bën me shenjë Salianji një duhmë  kjo që e marrim bashkë me ajrin që thithim.

Qendrimi i kesaj qeverie nuk ndryshon kurrë përsa i perket financimit të PPP-ve nga buxheti i shtetit. Kryeministri apo ministrat që ende nuk kanë shkuar në burg nuk ndijnë trazim nëse janë hapur procese gjyqësore siç është rasti i inceneratorve dhe sterilizimit!

E çfarë rëndësie ka se pronaret janë në arrati, madje ndonjëri na jep edhe leksione publike , mbi “galateon”, i ulur nën ikonen e Shën Merisë?!  Në kohet antike hajdutet vareshin nëpër kryqe , në bashkohesinë tonë ata i varin kryqet në qafë dhe na nxjerrin gjuhen.

Po pse duhet të kemi gajle kur yndyra e qeverisë vetë Zevendes Krye Ministri , tigrushi i gjorë, i cili po i sëmur të gjithë nga frika se mos i jep gojes, merr rrugët e kurbetit duke thënë ;

“Lamtumirë vendet e mija që po zhdukeni dalangadalë, gjëmon deti e stuhia, por me buzëqeshin paret e mia”. Dhe financimi jo vetem nuk ndalon, po rritet edhe me gjatë në vitin 2024.

Gjatë ketij viti shoqëria do sterilizohet edhe më shumë do paguhen 50 milionë të tjera për katër koneçesionet në mjekësi, 11,9 milionë inceneratori Tiranës, 33 milionë Rruga e Arberit e cila  nuk  mbaron kurrë, dhë është e një cilësie të tmerrshme. Aty Lala nuk duket të ketë interesa të shpejta.

Nuk ndalon financimi i PPP-ve. Një i korruptuar bie qindra ngrihen. Nuk ka rëndesi se ministra, ish ministra, kryetarë bashkishë, deputet  janë bërë me tension, aritmi, dridhen, zverdhen, belbezojnë, në dyert e Spakut, paraja duhet të shkojë në destinacion.

Ata “vdesin”  të gjithë njesoj, duke vikatur rroftë udheheqësi, ne jemi zuzarë, ne jemi tradhetarë, të shkojmë në litar ! Drejtoret tuaj kudo janë turrur si karkalecat në bereqet por shefat e tyre nuk dinë gjë, nuk mbajnë pergjeqësi.

Ata kanë ngrënë kaq shumë dardha, kumbulla e fiq, sa po ju shkon barku mbi tryezat e shqiptarve por nuk shohim askund as pergjeqësi politike e as morale. Ky është sistemi  politik , piramidal i ngritur për të patur nëpermjet korrupsionit dhe të korruptuarve gjithcka nën kontroll edhe voten e cila blihet po me paranë e vjedhur publike.

Ne votojmë shumë ligje po sa më i korruptuar shteti aq më shumë ligje prodhon ai. Ky i sotmi  është njëri prej  tyre. Në 12 vite qeverisje keni thyer çdo rekord me parullat dogmatike simptoma këto të një mendje anemike kompozuar  nga genjeshtrat, cektësia e fuqisë argumetuese dhe akuzat ndaj qytetaret e opozites!

Tanimë jeni shnderruar në mimetikë, në xhestikulativë, nuk keni më as fjalë, ju po kerkoni të modifikoni thelbin e shqiptarit modern. Frika ju shtyn drejt oazit të broçkullave!

Shqiptarin e deshironi idiot, të sterilizuar në gjykim, nën chek-ap patronazhistesh, duke i kontaminuar të tashmen dhe djegur të ardhmen në incenerator. Hesap i gabuar. Vonesa jo domosdoshmërisht është harresë.

Çdo ditë thoni atë që nuk qendron dhe përpiqeni me fsheh atë që di gjithë bota.

Të kundershtosh sot, të luftosh me korrupsionin e kësaj qeverie është një akt patriotizmi, më i larti akt.

Sot Edi Rama mund ti ikë interpelances së kërkuar nga Opozita, nga  Gazmend Bardhi por jo gjyleve që ka lidhur tek këmbet e veta. Në rëndje, në ikje ato plasin një nga një.

Sot korrupsioni është armiku kryesor i Shqiperisë.

Konçesionet dhe PPP-të ngerdheshja e tij. Ai rritet në oborrin e Qeverisë. Çdo mizori e ka diten e vet të gjykimit na meson Sami Frasheri. Shenojeni!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re