Sa kohë mund të jetojë një njeri? Sa është jetëgjatësia maksimale e tij? Përgjigja ndoshta ekziston dhe një ekip studiuesish nga kompania e bioteknologjisë në Singapor Gero dhe Qendra Gjithëpërfshirëse e Kancerit Roswell Park në Buffalo (Nju Jork) tani e ka gjetur këtë .
Duke përdorur inteligjencën artificiale, profesionistët ekzaminuan të dhënat klinike të qindra mijëra vullnetarëve dhe në këtë mënyrë arritën të gjenin atë që duhet të jetë mosha maksimale e një qenieje njerëzore.
Studimi, i publikuar në Nature Communications, padyshim që ka ngjallur interes të madh.
Ka shumë raste të njerëzve mbi njëqind vjeç që kanë arritur rekorde jetëgjatësie, por deri më tani askush nuk është përpjekur të llogarisë se sa gjatë mund të jetojë një qenie njerëzore.
Sipas këtij hulumtimi, është humbja e aftësisë për t’u shëruar ajo që vendos kufirin përfundimtar.
Studiuesit vlerësuan një sërë faktorësh, si mosha e arritur, pasojat që lënë sëmundjet në trupin e njeriut, mënyra e jetesës dhe aftësia e trupit për t’u rigjeneruar. Në fund të këtij hulumtimi të gjatë, rezultati është se jetëgjatësia maksimale e njeriut mund të arrijë 120 -150 vjet, dhe mbas kësaj kohe trupi ynë humbet aftësitë e tij shëruese.
” Humbja e elasticitetit e vërejtur edhe tek individët më të shëndetshëm që plaken me sukses më të madh mund të shpjegojë pse ne nuk shohin një rritje të dukshme në jetëgjatësinë maksimale, ndërkohë që jetëgjatësia mesatare është rritur në mënyrë të qëndrueshme në dekadat e fundit trajtimi i sëmundjeve pa ndërprerë procesin e plakjes nuk do të jetë i mundur”, ka deklaruar ekipi i shkencëtarëve.
Shkencëtarët supozojnë se falë zhvillimit të disa ilaçeve të aftë për të ngadalësuar procesin e plakjes, ne mund të arrijmë edhe 200 vjet, por padyshim kjo mbetet për t’u provuar.
Është një udhëtim, ai i jetëgjatësisë njerëzore, i cili sapo ka filluar dhe që do të marrë kohë përpara se të arrijë rezultate konkrete. Ekspertët janë të bindur se para fillimit të mijëvjeçarit të ardhshëm do të arrihet rekordi i personit më të vjetër në botë.
Deri më sot, rekordi mbahet nga Jeanne Calment, e cila vdiq në moshën 122-vjeçare në vitin 1997. Megjithatë, gushtin e kaluar u nda nga jeta personi më i vjetër i gjallë në botë, Maria Branyas Morera, e cila vdiq në moshën 117-vjeçare.
Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re