Tashmë, deputetët e futur në Parlament pas djegies së mandateve të PD-së dhe LSI-së, po hyn në fushën e betejës së re të politikës si një pol i ri politik, që do të tentojë të hyjë në Kuvend më vete në zgjedhjet e vitit 2021.
Nga 39, ky pol është rrudhur në 28 deputetë nga grupi i PD-së dhe LSI-së që si një listë e re do të tentojë të thyejë influencën e dy partive të mëdha, plus LSI-së.
Ende ky grupim ka dilemat e tij se ku do të shkojnë dy emra të rëndësishëm të opozitës parlamentare; Rudina Hajdari që përfaqëson një histori të rëndësishme brenda së djathtës, edhe Lefter Koka, i cili ka ndikim në elektoratin e qarkut Durrës.
Gjithsesi, opozita e re, duke nisur nga Myslim Murrizi, e duke vijuar me pjesëtarë të tjerë të këtij grupimi, që nga Edmond Stojku, e të tjerë emra që morën mandatet si pjesë e listës së opozitës, përfaqësojnë grupe interesi të caktuara apo edhe partitë vogla aleate, si dy krerët e Ballit, apo edhe Kujtim Gjuzi. Ndërsa për Ralf Gjonin, i dalë nga lista e LSI-së po përflitet për konkurrim në zgjedhjet e ardhshme nën siglën e Nismës Thurje, por kjo mbetet për t’u vërtetuar.
Një pjesë e deputetëve tashmë janë atashuar në PD dhe LSI, duke shpresuar që t’i fusë në listë Basha e Kryemadhi.
Por ky pol i ri politik që kërkon vota brenda tortës së të djathtës politike, pra asaj të opozitës, do ta ketë shumë të vështirë që të hyjë në Parlament, pasi situate është e polarizuar pas dy mandateve të PS-së dhe stinës së gjatë të përplasjes mazhorancë-opozitë.
Një model që mund të gjesh një pikëlidhje të kësaj opozite është PDR-ja e Genc Pollos, i cili në zgjedhjet e vitit 2001, arriti t’i marrë një fetë të rëndësishme elektorati opozitës së Sali Berishës, dhe u fut në Kuvend, duke konkurruar si antagoniste e Partisë Demokratike.
PDR-në asaj kohe pati dhe mbështetjen e qeverisë socialiste, të kryesuar nga Ilir Meta, dhe kishte interes të fitonte zgjedhjet duke qenë në krye të qeverisë. Nga ana tjetër u përdor një hile elektorale me logon dhe emrin e partisë së Pollos.
Megjithatë, duhet thënë se si Murrizi, Stojku, apo edhe deputetë të tjerë, gjatë qenies së tyre si pjesë e PD-së e LSI-së, kanë sjellë vota në hambarin e madh si pjesë e influencës së tyre në territoret përkatëse.
Murrizi ka kandiduar dikur me disa parti të djathta që nga viti 1997 dhe ia arriti të zgjidhej deputet.
Edhe Stojku, i cili e ka nisur karrierën politike me PDS-në e Milos, më pas me PDK-në e Ndokës, për të kaluar me LSI-në e Ilir Metës, ku ka sjellë vota nga ndikimi i tij në territor.
Gjithashtu Nimet Musai, përfaqësues i komunitetin çam në Fier, dikur ishte i PDIU-së, por më pas kaloi te LSI-ja.
Megjithatë, fakt është se në një fushatë të polarizuar, kjo opozitë e re më shumë se vota të pastra politike, mund të marrë preference klienteliste nëse do të ketë shkelje syri nga mazhoranca e Edi Ramës; pra punësime e premtime të tjera ofiqare që jep pushteti.
Megjithatë, një shans e kanë për të kapur edhe terrenin politik: nëse arrijnë të fitojnë betejën e nisur elektorale, atë të listave të hapura; e në këtë rast diskutimi bëhet ndryshe pasi shtohet baza elektorale që voton.
/shqip
