Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, njoftoi në Twitter se do të paguajë 11 miliardë dollarë taksa këtë vit.

Musk u përfshi në një debat publik në rrjetet sociale se sa taksa paguan.

Senatorja demokrate Elizabeth Warren i tha Musk në Twitter këtë javë se ai duhet të ndalojë “shfrytëzimin e njerëzve”.

“Për ata që janë të interesuar, unë do të paguaj më shumë se 11 miliardë dollarë taksa këtë vit,” i tha Musk asaj, “më shumë se çdo amerikan në histori”.

Musk, themeluesi i Tesla-s dhe SpaceX, u bë njeriu më i pasur në botë këtë vit.

Indeksi i miliarderëve të Bloomberg vlerësoi se Musk kishte “vlerë” 243 miliardë dollarë, se Tesla vlente rreth 1000 miliardë dollarë dhe SpaceX 100 miliardë, shkruan Tanjug, duke iu referuar BBC.

Musk u emërua Personi i Vitit nga Time javën e kaluar.

Presidenti Joe Biden dëshiron të rrisë taksimin e ultra të pasurve, por ligji ka ngecur në Kongres.

Disa senatorë, duke përfshirë Warren, mbështetën jo vetëm taksimin e pagave të amerikanëve më të pasur, por dhe asetet e tjera, të tilla si aksionet.

Shumë milionerë nuk marrin një pagë të tatueshme drejtpërdrejt, por e mbajnë pasurinë e tyre në formë aksionesh, ndaj marrin kredi duke dhënë si kolateral aksione.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re