Efektiviteti i një vaksine për COVID-19, madje edhe i dozës përforcuese, zvogëlohet ndjeshëm pas vetëm disa muajsh. A do të jetë nevoja për një dozë të katërt?

Vaksinat e ARN-së së mesazherit, të tilla si ato që ofrohen nga Pfizer dhe Moderna, ofrojnë mbrojtje të mirë kundër komplikimeve serioze të COVID-19 – veçanërisht pas marrjes së dozës përforcuese – por fuqia e tyre zvogëlohet më shpejt nga sa mendohej, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (QKP).

Në një njoftim të publikuar të premten, QKP tha se kishte zbuluar që mbrojtja e vaksinave ndaj shtrimit në spital bie ndjeshëm pas vetëm katër muajsh, madje edhe pas marrjes së një doze përforcuese. Studimi i agjencisë filloi më 26 gusht 2021 dhe përfundoi më 22 janar 2022, rreth një muaj pasi varianti më i transmetueshëm Omicron tejkaloi shifrat e Deltës si mutacioni më i përhapur.

Në periudhën kur Delta ishte mbizotëruese, mbrojtja nga shtrimi në spital ishte 96% brenda dy muajve nga doza e tretë e një vaksine me mRNA. Por, brenda katër muajve, mbrojtja ra në 76%.

Gjatë valës së Omicron, mbrojtja nga shtrimi në spital ishte 91% brenda dy muajve nga marrja e një doze përforcuese me mRNA, por pas 16 javësh, ajo bie në 78%.

Nëse nuk merret doza përforcuese, mbrojtja kundër shtrimit në spital brenda dy muajve pas vaksinës së dytë ishte vetëm 71%, ndërsa pas pesë muajsh ajo bie në 54%.

Për sa kohë mbeten efektive kundër Covid-19 vaksinat mRNA?

Kohëzgjatja e efektivitetit të vaksinës varet nga lloji i Covid ndaj të cilit jeni ekspozuar, nga numri i dozave që keni marrë dhe nga ajo që po përpiqeni të parandaloni.

Efektiviteti i vaksinave kundër Covid zvogëlohet me kalimin e kohës, veçanërisht kundër varianteve të fuqishme si ai i Omicron. Një studim i muajit dhjetor nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar tregoi se mbrojtja nga infektimi ra deri në 65% pas vetëm 10 javësh.

Një raport i muajit tetor të vitit 2021, i publikuar në The Lancet, përcaktoi se vaksina e Pfizer/BioNTech, Comirnaty, ishte 88% efektive në parandalimin e infektimit gjatë javëve pas marrjes së dozës të dytë. Por, kjo mbrojtje binte në 47% pas gjashtë muajsh.

Efektiviteti në parandalimin e shtrimit në spital dhe të humbjes së jetës mbeti i lartë, në shifrën 90% për të paktën gjashtë muaj, madje edhe kundër variantit Delta që ishte dominant në atë periudhë, raportoi Reuters.

Studiuesit nga Pfizer dhe Kaiser Permanente analizuan të dhënat shëndetësore të afërsisht 3.4 milionë pacientëve midis dhjetorit 2020 dhe gushtit 2021. Ata zbuluan se efektiviteti i vaksinës kundër variantit Delta ishte 93% pas muajit të parë dhe binte në 53% pas katër muajsh.

Kundrejt varianteve të tjera përpara shfaqjes së Omicron, efikasiteti ra në 67% nga 97%.

Studimi i muajit shkurt nga QKP përfshin të dhëna të reja rreth variantit Omicron dhe dozave përforcuese: ai zbuloi se mbrojtja e vaksinave përsa i përket shtrimit në spital kur mbizotëronte varianti Delta, ra në 76% pas katër muajsh, nga niveli prej 96% që ishte për dy muajt e parë pas marrjes së një doze përforcuese.

Ndaj variantit Omicron, mbrojtja nga shtrimi në spital ishte 91% brenda dy muajve nga marrja e një doze përforcuese me mRNA, ndërsa pas katër muajsh binte në 78%.

A tregojnë të dhënat e reja se do të nevojitet një dozë e katërt?

QKP përditësoi udhëzimet e saj në janar, duke sugjeruar se njerëzit me imunitet të kompromentuar mund të marrin një dozë të katërt për Covid-19. Izraeli ka miratuar tashmë dozën e katërt të vaksinës mRNA të Pfizer ose të Moderna për personat vulnerabël mbi 18 vjeç.

Dozat e katërta për të moshuarit mund të aplikohen edhe në SHBA: Më 22 janar, këshilltari kryesor për shëndetësinë në Shtëpinë e Bardhë, Dr. Anthony Fauci, tha se ishte “plotësisht e e mundur” që do të nevojitej një dozë e katërt.

“Por, përpara se të marrim këtë vendim për një dozë tjetër përforcuese, duam të përcaktojmë saktësisht se cila është kohëzgjatja e mbrojtjes nga doza e tretë,” tha ai për ABC’s This Week. /Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re