Kronologjia gjyqësore për vrasjen e 4 protestuesve në mes të bulevardit të kryeqytetit më 21 janari të 2011-s, vijon edhe 12 vjet më vonë.

 

Për ngjarjen tronditëse u morën të pandehur dy gardistë, Agim Llupo dhe Ndrea Prendi, për vrasjen e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, por pa autor mbetënj jetët e humbura të e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës. Në maj të 2012 u çel procesi gjyqësor ndaj tyre për akuzën e vrasjes.

 

Në një vit seancë gjyqësore, prokurorët Shkëlqim Hajdari dhe Adriatik Cama i shpalosën gjykatës me qindra prova shkencore, u bë këqyrja e pamjeve filmike, u analizuan akt-ekspertime mjeko-ligjore dhe balistike, përfshi edhe ekspertime të kryera nga FBI-ja amerikane. Mes dëshmive u dëgjuan edhe ato të disa deputetëve të Partisë Socialiste, pjesëmarrës në demonstratën e dhunshme.

Në fund dy prokurorët kërkuan kërkuan 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet heqje lirie për Agim Llupon. Mëgjithatë argumentet e hetuesve ishin jo të bindshme për togat e zeza, të cilat në fund i shpallën të pandehurit, të pafajshëm duke urdhëruar lirinë e tyre të menjëhershme.

 

Ishte vendimi i Apelit të vitit 2013 ai që dënoi me 4 vjet burg në total dy gardistët nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia, ku Ndrea Prendi i dënua me një vit burg për vrasjen e Faik Myrtajt dhe 3 vjet u dënua Agim Llupo për vrasjen e Ziver Veizit. Sërish pa autorësi mbetën vdekjet e Aleks Nikës e Hekuran Dedës.

 

Kalvari gjyqësor u shtri edhe në Gjykatën e Lartë e cila në prill të 2016 rrëzoi rekursin e prokurorisë për vendimin e Apelit.Familjarët e viktimave, të pakënaqur nga vendimi dhe hetimi iu drejtuan gjykatës me padi civile për dëmshpërblim financiar nga Garda dhe Ministria e Brendshme, çështje që përfundoi deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, duke u zgjidhur me pajtim mes paditësve dhe qeverisë shqiptare në prill të vitit 2017. Sipas vendimit të Strasbourg-ut, familjarëve, qeveria u akordoi një fond dëmshpërblimi ndaj jetëve të humbura fillimisht me 2 milionë euro e më pas edhe 970 mijë euro shtesë.

 

Një dekadë nga ngjarja Prokuroria e Tiranës rihapi hetimet për të zbuluar se kush e vrau Aleks Nikën, por duket se ende duket të jenë bërë përparime në këtë drejtim. Predha që i mori jetën Alkes Nikës është dërguar për ekzaminim në Romë, por ende nuk ka asnjë rezultat. Të pakënaqur nga drejtësia, familjarët e Alkes Nikës kërkuan që çështjen ta marrë në hetim SPAK. Në fund të janarit 2023, PS depozitoi në SPAK kallëzim penal ndaj Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi, duke e konsideruar provë të re audiopërgjimin e publikuar në media që, sipas PS-së, hedh dritë mbi vrasjen shtetërore të 4 qytetarëve të pafajshëm. Por në shkurt të këtij viti SPAK shpalli moskompentencën për vrasjen e 4 protestuesve. Organi i posaçëm i drejtësisë arsyetoi se vetëm në rastin që arrin të provohet se bëhet fjalë për grup të strukturuar kriminal apo nëse urdhrat për vrasje janë dhënë nga zyrtarë të lartë shtetërorë, do ta marrë çështjen në hetim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re