Prokurori i Apelit të Shkodrës do të rikthehet në detyrë pas kryerjes së trajnimit të detyrueshëm në Shkollën e Magjistraturës dhe pas rrëzimit të ankimit të komisionerit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Nga Edmond Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të mërkurën të konfirmojë në detyrë prokurorin Elvin Gokaj, duke rrëzuar ankimin e Komisionerit Publik që kërkonte shkarkimin e tij. Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e drejtuar nga Natasha Mulaj, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo.

Shqyrtimi në Kolegj i çështjes së prokurorit të Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj u çel më 6 tetor, pas ankimit të dyfishtë që iu bë vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nga komisioneri Darjel Sina dhe vetë subjekti.

Në shkallë të parë, Gokaj u pezullua nga detyra për 1 vit me kushtin e ndjekjes së trajnimit të detyrueshëm pranë Shkollës së Magjistraturës –vendimi i parë në zbatim të nenit Ë të Kushtetutës që parashikon masë disiplinore për kriterin e aftësive profesionale.

Gjatë procesit të zhvilluar në Kolegj, komisioneri Sina pretendoi se prokurori Gokaj nuk kishte pasur mundësi financiare për shlyerjen e këstit të parë në blerjen e një apartamenti si dhe ngriti dyshime mbi disa llogari bankare në emër të vjehrrës dhe nënës së bashkëshortes së tij. Ndërsa Gokaj e kundërshtoi analizën financiare si të pasaktë dhe deklaroi se llogaritë bankare nuk i përkisnin atij apo bashkëshortes.

Elvin Gokaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore. Në vitin 2000 ai është emëruar prokuror në Prokurorinë e Matit, ndërsa në vitet 2007-2013 ka kryer detyrën e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit. Gokaj punonte në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës prej vitit 2014.

Përpara se procesi të niste në Apel, Gokaj përfundoi edhe trajnimin e detyrueshëm 1 vjeçar në Shkollën e Magjistraturës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re