Artisti shqiptar i mozaikëve, Saimir Strati, në kuadër të edicionit 2. të Ditëve Ndërkombëtare të Artit në Nigbor, i cili organizohet në qytetin Nigde të Turqisë, ka realizuar portretin e Ataturkut me 250 mijë vida të përmasave të ndryshme.

Portreti i Ataturkut, realizuar nga Strati me një punë 40-ditore mbi një dërrasë 15 metra katrorë duke përdorur 250 mijë vida me gjatësi dhe ngjyra të ndryshme, po tërheq interesin e artdashësve në ekspozitën e hapur në kishën historike greke të qytezës Bor.

Organizatori i aktivitetit, Serkan Halilogullari, tha në një konferencë për media se Strati e ka nisur këtë mozaik më 1 prill dhe e ka përfunduar më 10 maj.

“Vepra që artisti ka bërë me 250 mijë vida, duke punuar me orë të gjata, ka fituar të drejtën për të hyrë në Librin e Rekordeve Guinness”, njoftoi Halilogullari duke shtuar se rekordi është regjistruar më 8 gusht.

“Qëllimi ynë është që këtë tablo ta dërgojmë në mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturk (Anitkabir)”, theksoi organizatori.

“Ky është rekordi i tij i 11-të. Shpresojmë që të gjendet vendi për ekspozimin e kësaj tabloje dhe atëherë artisti do të vijë edhe vetë. Me Stratin jemi njohur në një muze në Kosovë. Ai po nderohej me një çmim për Librin e Rekordeve Guinness. Gjatë një bisede me të, i kërkova që të thyente edhe një rekord tjetër në Nigde. Pranoi dhe kur më pyeti se çfarë do të ishte tema, unë iu përgjigja se do të ishte Ataturku. Gjithashtu ai banon në një bulevard që mban emrin e Ataturkut dhe e ka shumë për zemër. Ai e pranoi me kënaqësi. Në kuadër të kësaj erdhi në Nigde dhe e theu këtë rekord”, sqaroi Halilogullari.

Ndërsa Serkan Baran, kryetar i Bashkisë Bor, tha se falë veprës që ka fituar të drejtën për të hyrë në Librin e Rekordeve Guinness, ekspozita është vizituar nga më shumë se 20 mijë njerëz. Ai theksoi se aktivitete të tilla ofrojnë kontribute të mëdha në promovimin e rrethit Nigde dhe qytezës Bor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re