Pas arrestimit të Vilson Brahjas si personi që vuri tritolin në shtëpinë e Gazmir Dacit në Bathore, disa ditë më parë, policia shpalli në kërkim si porositës njërin prej vëllezërve Kolaveri.

 

Pas ngjarjes së rëndë policia shkoi në shtëpinë e Sajmir Kolaverit për ta marrë në pyetje, por ai nuk gjendej dhe për këtë e shpalli atë në kërkim.

 

Tritoli është i treti në serinë e sulmeve ndaj familjes Daci. Shkak i shpërthimit, por edhe i atyre më parë dyshohet se janë konfliktet e vjetra dhe hasmëria, pasi Gazmir Daci është dënuar për vrasjen e njërit prej vëllezërve në vitin 2015.

 

Që prej asaj kohe 31-vjecari ndodhet në burg i dënuar me 35 vite heqje lirie.

 

Ngjarja për të cilën u akuzua ndodhi pasditen e datës 4 nëntor të vitit 2015, në Bathore të Tiranës, kur ai qëlloi me armë zjarri në drejtim të dy vëllezërve, Valmir dhe Robert Kolaveri. Njëri nga vëllezërit, Valmiri, 28 vjeç, mbeti i vdekur në vend, ndërsa vëllai i tij u plagos rëndë dhe tashmë është i paralizuar.

 

Nga hetimet rezultoi se Daci kishte qëlluar ndaj dy vëllezërve, pasi disa muaj para ngjarjes ata e kishin rrahur në Francë. Pas krimit, ai largua nga vendngjarja, duke u ndihmuar edhe nga i ati dhe qëndroi në arrati për gati një muaj, duke u fshehur në një hotel, ku u arrestua dhe nga forcat RENEA.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re