Vajza e tij, Hesti, u diagnostifikua me një sindromë të rrallë (Cornelia de Lange-CdLS) në vitin 2019.

Babai i vogëlushes veçse, duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga orvatja për të shpëtuar të bijën edhe pse një kurim do të kushtonte miliona euro.

Ky është major Kris Branigan. Vitin që lamë pas eci me këmbët zbathur një distancë prej 700 miljesh në Britani duke mbledhur në bamirësi një fond prej 500.000 mijë sterlinash. Të gjitha paratë e grumbulluara nga sakrifica e këtij babai, shkuan për kërkim shkencor në sëmundjen që ka prekur të bijën në një prej laboratorëve të njohur në SHBA.

“Kërkimi shkencor dhe trajtimi për Hestin (vajza) si dhe të gjithë fëmijët e tjerë të prekur nga kjo sëmundje, po shkon shumë mirë. E dimë që trajtimi do të jetë i sigurt dhe aktualisht po bëhen testime për të kuptuar sa efektive mund të jetë kura. Kemi shpresë se përmes një terapie gjenesh, kura do të jetë e gatshme vitin e ardhshëm”-tha ushtaraku.

Por sakrifica nuk ka mbaruar. Majori ka nisur një tur prej 1200 miljes (afro 2 mije km) në SHBA. Ecën zbathur, me qëllim të mbledhë donacione. Këmbët e tij të gjakosura, me kallo e të çara duket se nuk po e ndalojnë këtë baba t’i shkojë deri në fund orvatjes për të mbledhur paratë e nevojshme.

“Problemi me kurën është bërja e testimeve klinike, e cila kushton miliona e miliona dhe ne nuk i kemi ato sasi parash. Kësisoj po mundohemi t’i mbledhim me donacione, si mënyrën e vetme që mund t’i grumbullojmë aq para”

Majori ka arritur të mbledhë 900.000 mijë sterlina (mbi 1 mln euro) deri më tani dhe vijon me rrugëtimin e tij. Para nisjes, ai u shpreh:

“S’mund të mendoj ndonjë gjë më të keqe sesa të ecësh zbathur. Kur mbarova ecjen vitin e kaluar, i premtova vetes se nuk do ta bëja më kurrë këtë… kam me vete një çantë prej afro 25 km dhe kësaj here do të eci rreth 500 milje më shumë… dy djemtë më ndihmuan të rregulloj çantën, ndërsa vajza më dha një ndër arushët e saj, që ta kem përgjatë gjithë rrugës.

Mjekët i kanë thënë Krisit dhe të shoqes se shëndeti i vajzës së tyre mund të përkeqësohet shumë shpejt.

“Në dhjetor vajza bën 10 vjeç dhe jemi në një garë kundër kohës”-përfundoi fjalën e tij major Branigan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re