Një mënyrë e tmerrshme, i bëjnë të bien në dashuri. Ka rekrutues nëpër oborret e shkollave. Djem që i thonë vajzave të vogla, unë të dua, je shumë e bukur, je shumë e zgjuar. Këtu kemi një 13 vjeçare, e cila është e dëshpëruar të shkojë në krahët e një burri 52 vjeçar. Ajo i tregoi policisë se donte të shkonte tek i dashuri. Burrë 52 vjeç… i thoshte oficerëve “unë e dua atë”.
Kështu tregon një grua, e cila kujdeset në një strehë një sërë vajzash të mitura të cilat janë trafikuar si skllevër apo prostituta. BBC i ka kushtuar një dokumentar një fenomeni shqetësues në të gjithë Evropën, ku fëmijët po bëhen tashmë objektivi i trafikantëve për prostitucionin.
Dokumentari ndalet në Rumani, atje ku qindra vajza rrëmbehen e dërgohen në Britani apo gjetkë për t’u shfrytëzuar. Kujdestarja e njërës prej strehave të viktimave të abuzimit, tregoi se tashmë viktimat janë edhe vajza veçse 10 vjeçe.
“Viktimat janë në mosha të vogla e më të vogla. Sa më të vogla vajzat, aq më e lehtë është për trafikantët që t’i frikësojnë ato. Tani kemi vajza edhe 12 vjeçare, të cilat vijnë në strehën tonë, por që janë trafikuar që në moshën 10 vjeçare.”-tregon ajo.
Në vitin 2020 në Rumani të paktën 429 viktima të trafikut për qëllime prostitucioni u identifikuan nga autoritetet. Por ka plot raste, kur autoritetet nuk arrijnë të kapin këta trafikantë që nuk ndalojnë përballë asgjëje.
E tillë është historia e një nëne e babai, të cilëve ia rrëmbyen vajzën e mitur. Prindërit shpjeguan se e njihnin trafikantin, ndërsa autoritetet nuk bënë asgjë për t’i ndihmuar. Historia e tyre është e jashtëzakonshme dhe tregon se çfarë bëjnë prindërit për fëmijët.
“Kur shkova në stacionin e policisë, gjëja e vetme që dëgjova ishte se ata s’mund të bënin ndonjë gjë, se ata nuk kishin staf për të ndjekur çështjen. Dilja dhe kërkoja përreth qytetit me makinë, kërkoja për vajzën”-kujton nëna e 12 vjeçares.
Kjo nënë arriti të lidhë kontakte me trafikantin, duke u hequr si një person që kërkon të blejë e bëjë tregti droge.
“Vajzën e pashë në bagazhin e makinës së tij. Vajza ishte e droguar, nuk qëndronte dot në këmbë. Nuk më besohej që arrita të gjej vajzën.”-tregon mes lotëve kjo nënë.

“A mund ta imagjinoni? Të shkosh në shkollë dhe të marrësh një fëmijë…ndërkohë ti shkon në polici dhe asgjë nuk bëhet. Të nesërmen del nëpër qytet e trafikanti i drogës të qesh në fytyrë… si do të ndiheshit?”-tregoi babai i të miturës.

“Unë isha fëmijë, 12 vjeçe. Për ata (trafikantët), isha thjesht një skllave, bëja çdo gjë që ata më kërkonin. Ata donin vetëm paratë…”-tregoi vajza e tyre, tashmë në krahët e familjes.
Por rasti më i rëndë i viteve të fundit atje (në Rumani), ishte fundi tragjik i një vajze 15 vjeçe. Ajo ishte rrëmbyer për qëllime trafiku. Pak para se të gjente vdekjen, kishte marrë në telefon policinë, në një përpjekje të dëshpëruar për t’i shpëtuar tmerreve që kishte përjetuar.
Siç rezultoi më vonë, policia as nuk e kishte gjurmuar telefonatën. 24 orë më vonë, ishte lokalizuar banesa, por ishte shumë vonë. Trafikantët e kishin vrarë 15 vjeçaren.
Burimi: BBC/ Përshtati me shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët.info